Aktorja dhe artistja e njohur, Margaret Nolan, e cila pati një rol të paharrueshëm në filmin klasik të James Bond të vitit 1964, “Goldfinger”, vdiq dje në moshën 76-vjeçare.

Vdekja e saj u njoftua të dielën në mbrëmje nga regjisori Edgar Wright, i cili kohët e fundit pati punuar me Nolan në filmin “Last Night In Soho”.

“Ajo ishte mesi i diagramit të Venit për gjithçka fantastike në vitet ’60. Ishte shumë gazmore, e mprehtë dhe, siç mund ta imagjinoni, e mbushur me histori nga më të mahnitshmet”, shkroi Wright në një homazh në Twitter.

“Jam shumë i lumtur që e njoha atë. Zemra ime shkon me familjen e saj dhe të gjithë ata që e donin atë. Ajo do të më mungojë shumë”, shtoi kineasti

Sekuenca e titullit të “Goldfinger”, filmi i tretë i serialit ekskluziv “007”, ku Nolan luajti rolin e Dinkut përkrah aktorit të njohur Sean Connery, si edhe marketingu i bërë për filmin, e paraqesin atë me pamjen ikonë të mbuluar me bojë ari dhe rroba banje.

Nolan e nisi karrierën e saj si modele.

Si aktore, ajo u shfaq në dhjetra projekte filmike dhe televizive, në një karriere që zgjati plot gjashtë dekada.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb