Një burrë nga Kalifornia (SHBA), i cili kishte përqeshur vaksinat kundër COVID-19 në rrjete sociale, ka vdekur pas një përballjeje prej një muaji me virusin, raporton BBC.

Stephen Harmon kishte qenë kundër vaksinimit dhe kishte bërë shaka rreth mosvaksinimit.

“Kam 99 probleme, por vaksina nuk është njëra prej tyre”, ka shkruar 34-vjeçari në një postim në Twitter në qershor.

Sipas BBC, ai është trajtuar për pneumoni dhe COVID-19 në një spital jashtë Los Angeles-it, ku vdiq të mërkurën.

Pak ditë para vdekjes, Harmon dokumentoi luftën e tij për të mbetur gjallë, duke postuar fotografi të tij në spital.

Në postimin e fundit në Twitter, Harnon tregoi se ka vendosur t’i nënshtrohej intubimit.

“Nuk e di se kur do të zgjohem, lutuni për mua”, shkroi ai.

Pavarësisht vështirësive në përballje me virusin, Harmon refuzonte që të vaksinohej duke thënë se besimi dhe religjioni që ai kishte do ta mbronin.

Kalifornia është duke u përballur me një numër në rritje të rasteve me COVID-19 në javët e fundit.

Shumica e personave që dërgohen në spitale janë të pavaksinuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb