Diplomati austriak, Albert Rohan, ka vdekur në moshën 83-vjeçare, ka njoftuar ministria e Punëve të Jashtme e Austrisë. Rohan së bashku me të dërguarin e Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari, ka marrë pjesë në negociatat për statusin e Kosovës. “Austria ka humbur njërin nga diplomatët më të aftë. Për ministrinë dhe mua personalisht, vdekja e Rohanit paraqet humbje të një modeli të madh”, tha shefi i diplomacisë austriake, Alexander Schallenberg.

Në njoftimin e ministrisë, thuhet se Rohani, në vitet 1990, ka marrë pjesë në hartimin e politikës për Ballkanin, me qëllim të vendosjes së paqes dhe zhvillimit të një perspektive evropiane në këtë rajon. Rohan i është bashkuar shërbimit diplomatik të Austrisë në vitin 1963 dhe ka shërbyer, mes tjerash, në ambasadat e Austrisë në Londër dhe Beograd.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enever Hoxhaj, ka thënë përmes një postimi në Tëitter se Rohan ka qenë një nga gjigantët e diplomacisë evropiane dhe një nga paqebërësit më të mirë në Ballkan. “Ai do të kujtohet për aftësitë e tij të veçanta diplomatike dhe intelektuale, nga i cili kam mësuar shumë për artin e të negociuarit”, është shprehur Hoxhaj.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb