Autori “bestseller” me famë botërore Wilbur Smith vdiq sot në moshën 88-vjeçare.

Lajmi u konfirmua në rrjetin e tij social, ku thuhet se ai vdiq në shtëpinë e tij në Cape Town, në ​​Afrikën e Jugut.

Gjatë karrierës së tij të gjatë, ai ka botuar 49 libra të shitura në 140 milionë kopje në mbarë botën.

“Romanet e Wilbur Smith kanë mahnitur lexuesit për më shumë se gjysmë shekulli, duke shitur më shumë se 140 milionë kopje në mbarë botën, të botuara në më shumë se tridhjetë gjuhë.

Seria e tij më e shitur “Courtney”, më e gjata në historinë e botimeve, pasqyron aventurat e familjes Courtney në mbarë botën, që përfshin brezat gjatë tre shekujve, përmes periudhave kritike nga Afrika koloniale në Luftën Civile Amerikane dhe epokën e aparteidit në Afrikën e Jugut”, sipas njoftimit.

Romani i parë i Smith, “When the Lion Feeds”, botuar në vitin 1964, ishte një bestseller dhe secili prej romaneve të tij të mëvonshëm ishte në listën e bestsellerëve, shpesh në vendin e parë, duke i dhënë autorit mundësinë për të udhëtuar gjerë e gjatë në kërkim të frymëzimit.

Smith lindi më 9 janar 1933 në Rodezinë e Veriut, tani Zambia në Afrikën Qendrore. Babai i tij, Herbert Smith, ishte një teneqepunues dhe nëna e tij, Elfreda, e cila ishte më e prirur artistikisht e inkurajoi Wilbur të lexonte.

Në moshën 18 muajshe, Smith u sëmur rëndë nga malaria cerebrale dhe ekzistonte mundësia që ai të pësonte dëmtim në tru nëse do të mbijetonte.

Sipas të atit, obsesioni i tij për librat ishte i sëmurë, ndërsa Smith u bë një lexues i fshehtë, duke kaluar orë të tëra në tualet ku dhe mbante romanet e tij të preferuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb