Rasti i Saimir Sulës që ndërroi jetë në një spital në Spanjë në maj të 2020, tronditi mbarë opinionin publik, pas zbulimit nga mjekësia ligjore shqiptare se 31-vjeçarit të pajetë i mungonte zemra.

Majlinda, motra e të ndjerit, prej 2 vitesh troket në dyert e drejtësisë në Spanjë dhe në Shqipëri me shpresën për të mësuar të vërtetën, se çfarë i ndodhi vëllait të saj të vetëm.

Pas shumë ecejakesh, autoritet në Spanjë e informuan zemra e Saimir ndodhej në institutin e mjekësisë ligjore, por Majlinda ka dyshime të forta se zemra është e vëllait të saj.

“Pas një viti mjekësia ligjore na nxori një zemër që teorikisht pretendon se është e Saimirit. Ne na lindim dyshimet, se fillimisht data, janë 22 prill, kur Saimir ishte gjallë, pra ndërroi jetë më 9 maj”, tha motra Majlinda.

Ajo thotë se drejtësia spanjolle refuzon të bëje testin e ADN, për të konfirmuar nëse kjo zemër është ose jo e të vëllait, ndaj kërkon ndërhyrjen urgjente të shtetit shqiptar.
“T’i sillet zemra e Saimirit në Shqipëri dhe të bëhet ADN këtu, meqë shteti spanjoll nuk pranon të bëjë ADN. Me domosdo duhet të kërkojmë ADN, që ta konfirmojnë nëse është e Saimir apo i përket dikujt tjetër”, deklaron e motra e viktimës.

E shqetësuar ajo deklaron se ka 20 ditë që sorollatet në dyert e institucioneve, prokurorinë e Tiranës, Ministrinë e Drejtësisë apo Ministrinë e Jashtme, por ende nuk di nëse letërporosia është nisur drejt Spanjës. Gruaja thotë se institucionet nxjerrin justifikime nga më të ndryshmet, por zvarritjet sipas saj rrezikojnë hetimin e rastit.

“Kam 20 ditë që sorollatem, më është thënë sot nesër, por ende nuk e di nëse është dërguar kjo letërporosi”, tha Majlinda.
Ajo bën thirrje që shteti të reagojë sa më shpejt, pasi ekziston rreziku që autoritetet spanjolle ta hedhin zemrën e për këtë shkak çështja nuk do të zbardhet kurrë.
“Avokati im mendon se duhet të niset në mënyrë urgjente, pasi spanjollët kërcënojnë të hedhin zemrën, pra ajo është prova”, u shpreh motra e viktimës.

Pas interesimit të News24 prokuroria deklaroi zyrtarisht se e ka nisur letërporosinë e dytë drejt Spanjës, ndërsa theksoi se pas denoncimit të familjes së Saimir Sulës ka regjistruar një çështje penale dhe po heton për trafik organesh.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb