Familjarët e Tomorr Mançes, 49-vjeçarit që ndërroi jetë në spitalin e Beratit pas shqetësimeve nga tensioni i lartë, akuzojnë mjekët për mungesë vigjilence në trajtim.

Babai i tre fëmijëve ndodhej prej 24 orësh në repartin e Patologjisë, kur vdiq nga një goditje në zemër. Në banesën e 49-vjeçarit, baba i tre fëmijëve, veç dhimbjes, familjarët kanë mbi supe dhe pengun për vdekjen e papritur të të afërmit të tyre, i cili ndonëse nuk kishte më parë probleme me shëndetin, sipas tyre vdiq në spital për faj të mjekëve. Motra e tij, Alketa, akuzon drejtpërdrejt për këtë mjekun Miltiadh Vevecka.

Çfarë ndodhi gjatë orëve që qëndruat në spital?
E gjeta duke marrë serumin dhe më tha që kishte dalë me tension të lartë e me diabet, për këtë duhej që të kurohej. Madje mësova që mjeku që e kishte shtruar, Miltiadh Vevecka, i kishte bërë dhe skaner dhe për fat të mirë u gëzova që i kishte dal mirë e nuk i ishte prekur truri nga tensioni.

Çfarë nuk shkoi siç duhet?
Gjatë gjithë orëve të pasdites vinin vetëm infermieret, hynin dhe dilnin dhe thoshin që gjithçka ishte mirë, pasi nuk kishte asnjë problem pas marrjes së medikamenteve në serum. Vëllai kishte probleme me mbytjen, pasi kishte bllokim në fyt nga sekrecionet dhe kjo vinte, sipas infermiereve, nga diabeti dhe se do t’i kalonte. Kështu ka kaluar gjithë nata me këtë shqetësim. E kemi telefonuar me mijëra herë mjekun që e shtroi, për ta pyetur nëse do të vinte ta shikonte, por nuk u përgjigj. Prisnim që të vinte mëngjesi për të ardhur mjeku për ndonjë konsultë apo vizitë, por askush nuk erdhi deri në mëngjes që vëllai vdiq.

Çfarë ndodhi konkretisht në mëngjes?
Aty nga ora 07:00, ndërsa po prisnim doktorët që gjatë natës nuk u shfaqën, vëllai u nxi nga duart dhe më pas nga buzët. Ne u alarmuam dhe kërkuan ndihmë, sepse po mbytej. U kërkuam infermiereve që t’i vinin aparatin për sekrecionet, sepse i mbahej fryma, por na thanë që është në reanimacion dhe nuk mund të dalë prej andej. Vetëm pasi i kemi dhënë 10 mijë lekë (të vjetra), infermieret sollën aparatin, por këto ishin çastet e fundit për vëllain, pasi ai pësoi atak në ato çaste. Infermierja e turnit i bëri goditje në zemër, për ta rikthyer në jetë. Në këto çaste vendosën që ta fusnin në reanimacion, por gjithçka ishte e kotë, sepse pak momente më pas ai ndërroi jetë.

Çfarë kërkoni nga drejtësia? Keni bërë denoncim në polici për vdekjen duke bërë përgjegjës mjekët?
Ai shkoi në spital për shkak të tensionit e diabetit dhe nuk e mbajtën një ditë më parë. Për këtë fajësojmë mjekët. Vëllai ishte keq gjithë natës dhe as mjeku neurolog që e shtroi, as ndonjë mjek tjetër nuk erdhi ta shikonte. Në çastet e fundit, askush nuk e pa derisa iku nga kjo jetë. Për të gjitha këto kërkoj drejtësi dhe do ta ndjekim çështjen deri në fund, sepse vëllai ynë nuk ishte i sëmurë dhe iku për faj të mjekëve.

NGJARJA
Tomorr Mançe humbi jetën mesnatën e së shtunës në Repartin e Reamimacionit, pranë spitalit të këtij qyteti, ndërsa ndodhej nën terapi intensive. 49-vjeçari, banor i fshatit Dyshnik, në njësinë administrative Otllak, mësohet se ka mbërritur pasditen e së shtunës në spital me tension të lartë.

Babai i tre fëmijëve ka marrë ndihmën e parë shëndetësore, ndërkohë që sipas mjekëve, rrugës për në spital,, si pasojë e tensionit të lartë të gjakut, kishte pësuar një atak kardiak.

Me gjithë ndihmën intensive të dhënë nga bluzat e bardha, 49- vjeçari ka ndërruar jetë disa orë më pas. Trupi i pajetë është dërguar për në morgun e spitalit, ku i është nënshtruar dhe vizitës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun që i solli vdekjen 49-vjeçarit. /Panorama/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb