TIRANE – Ish-bosi i firmës piramidale VEFA, Vehbi Alimuçaj, i dënuar për mashtrimin e mijëra shqiptarëve, kërkon nga gjykata pronësinë mbi ish-hotel “Drinin” në qendër të Tiranës. Prona iu bllokua nga shteti pas arrestimit dhe falimentimit të shoqërisë rentiere, ndërsa godina ende është gërmadhë, si pasojë e shumë çështjeve civile në Gjykatën e Tiranës. Së fundmi, një nga aksionerët e shoqërisë “Drini”, Naim Elezi, i është drejtuar gjykatës në datën 31 gusht të këtij viti, ku padit avokaturën e shtetit, Drejtorinë e Doganave, Ministrinë e Brendshme, QKR-në, shoqëritë huamarrëse në administrim, si dhe Hipotekën. Ai kërkon anulimin e vendimit të datës 29 tetor të vitit të kaluar të administratorit të shoqërisë “Drini” për ndryshimin e aksioneve.

Paditësi kërkon gjithashtu kthimin e kontributit dhe zvogëlimin e kapitalit, duke i kthyer shoqërisë “Drini” aksionet e anuluara apo kthimin e kapitalit në gjendjen e mëparshme. “Kërkoj anulimin e regjistrimit të vendimit të tetorit të kaluar të administratorit të shoqërisë pranë QKR-së, duke kthyer regjistrimin e shoqërisë në gjendjen e mëparshme. Kërkoj anulimin e marrëveshjes për dorëzimin në natyrë të pasurisë së paluajtshme. Detyrimin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, të regjistrojë si kapital të shoqërisë ‘Drini’ vlerën e mëparshme në masën 48 125 000 lekë i përbërë nga vlera e pasurisë e ndodhur në rrugën ‘Abdi Toptani’ në Tiranë dhe rikthimin në shoqëri të aksionerëve Vehbi Alimuçaj me 75.41% dhe Leka Veraj me 5.82%, gjithsej 81.23% të përfaqësuar nga shoqëritë huamarrëse në administrim”, thuhet në kërkesëpadi.

Godina e ish-hotel “Drinit” është në qendër të Tiranës, në rrugën “Abdi Toptani” dhe prej vitesh, që pas sekuestrimit nga shteti, duke qenë se një nga aksionerët kryesorë ka qenë Vehbi Alimuçaj, ka qenë në disa procese gjyqësore për administrimin. Në vitin 1995, hoteli u transformua në shoqëri aksionere me “veprimtari në fushën e shërbimit dhe hotelerisë”. Aksioner i vetëm fillimisht ka qenë shteti shqiptar. Fillimisht vetëm me vlerën e godinës, por më pas, nëpërmjet akteve nënligjore edhe me vlerën e truallit. Në dhjetor të vitit 1995, shoqëria në pronësi të Ministrisë së Financave u shpall për shitje dhe për një muaj e gjysmë u shitën aksionet.

Fillimisht 92 persona u bënë aksionerë, ndërsa Vehbi Alimuçaj zotëronte pjesën e “luanit”, plot 75.32 për qind. Mësohet se në muajin gusht të vitit 1997, shoqëria VEFA u vendos në statusin “shoqëri në administrim”, me qëllim përmbushjen e detyrimeve të kompanisë për kthimin e parave për kreditorët. Mësohet se administratorët vendosën të shesin aksionet e hotelit, por aksionerët e tjerë që kishin 18.7 për qind, e kundërshtuan shitjen. Në gusht të vitit 2000, administratorët e shitën hotelin te Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Në vitin 2001, pasuria u regjistrua në hipotekë në emër të këtyre institucioneve dhe pas atij viti filluan edhe proceset e shumta gjyqësore.

Vehbi Alimuçaj i VEFA-s është dënuar me 20 vite burg. Ai bëri rreth tetë vite burg, pas uljes së 12 viteve dënimi nga amnistitë e viteve 2002 dhe 2007. Në maj të vitit 2010, Alimuçaj la qelinë e burgut, ndërsa gjatë këtyre viteve drejtësia i hapi edhe një tjetër proces penal.

Aktualisht, Alimuçaj është marrë i pandehur për pastrim parash dhe çështja ndodhet në Gjykatën e Tiranës. Por, në vitin 2012, Alimuçaj fiton gjyqin me shtetin shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, duke e detyruar shtetin ta dëmshpërblejë me 8 mijë euro.
(er.nu/shqip/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb