Një shqiptar është kërcënuar me armë teksa pushonte në Budva të Malit të Zi. Arsyeja? E përditshmja malazeze “Vjesti”, shkruan se malazezi nuk duronte dot të dëgjonte gjuhën shqipe.

Gojko B. (50), nga Budva është arrestuar sepse ka keqtrajtuar turistin shqiptar G.Sh (46) nga Shkodra, duke e kërcënuar me revole që “të mësojë të flasë në gjuhën malazeze”. Ngjarja ka ndodhur të martën në mëngjes në një kafene të Budvës, jo shumë larg nga stacioni i autobusëve.

Sipas kësaj gazete, shqiptari ishte duke ndenjur në një kafene dhe pasi kishte porositur kafenë, Gojku kishte nisur ta keqtrajtonte.

“Gojko B. ka qenë në gjendje të dehur dhe ka kërkuar prej shqiptarit që të përsërisë fjalët që ai i shqiptonte në gjuhën malazeze dhe ndërkohë ka nxjerrë revolen, të cilën ia ka drejtuar nga këmbët, nën tavolinë. Shqiptari ka përsëritur gjithçka ai donte”.

Më pas 46vjeçari nga Shkodra ka denoncuar rastin në polici, ndërsa mësohet se malazezit i është caktuar masa e ndalimit për 72 orë.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: