TIRANË- Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj ka deklaruar sot se rreth 250 mijë shqiptarë të punësuar kryesisht në shtet por edhe në privat, rrezikonin seriozisht pensionin e tyre, pasi për 8 vite institucionet ku punonin nuk u kanë paguar sigurimet shoqërore. Veliaj shfrytëzoi aktivitetin për punësimin për të denoncuar një sërë institucionesh që në qeverisjen e kaluar nuk kanë paguar sigurimet për punonjësit e tyre edhe pse u kanë mbajtur nga rroga 10 përqindëshin.

“Gjendja është shumë e rëndë. Në fund të vitit 2014 kemi zbuluar ndoshta piramidën më të madhe që prej vitit 1997. Kemi zbuluar në arkën e sigurimeve 109.5 mln dollarë mangët. Janë deklaruar si punonjës, ju është mbajtur 10% por nuk e kanë derdhur në sigurime. Ka ndodhur në privat por edhe në shtet.”, tha ministri Veliaj.

Ai përmendi disa prej institucioneve më të rëndësishme qendrore që nuk kanë paguar sigurimet prej 8 vitesh. “Janë 250 mijë shqiptarë që kanë rrezikuar të mbeteshin pa pension. Ja disa institucione që s’kanë paguar sigurimet e punonjësve të tyre: Ministria e Mbrojtjes, mijëra ushtarakë, do të mbeteshin pa pension nëse nuk do ishte evidentuar ky problem nga Ministrja e Mbrojtjes e cila po paguan sot edhe sigurimet e 8 viteve. Ka reparte që s’kanë paguar deri në 1 mln dollarë sigurime; Ministria e Arsimit, rreth 35 mijë mësues rrezikonin pensionin; Ministria e Shëndetësisë, QSUT dhe Spitali Ushtarak, institucionet më deficitare, punonjësit pa sigurime shoqërore; ALUIZN-i me debinë më të madhe përtej ministrive. Institucioni që bënte legalizimin, ishte institucion totalisht ilegal. Drejtori aktual mund të ketë 1000 strese dhe 1000 drama por ju siguroj se ka filluar të paguaj sigurimet shoqërore edhe të 8 viteve të kaluara. Ministria e Brendshme, Garda e Republikës, një nga debitoret më të mëdha të sigurimeve shoqërore. Heronjtë e atyre që ikën, të pasiguruar, ata që duhet të na mbrojnë, s’kishin mbrojtjen minimale; Ministria e Punës, nuk ka paguar sigurimet shoqërore. Instituti i Sigurimeve Shoqërore, dega Elbasan. Inspektorati i Punës që bën verifikime vetë si institucion nuk paguante. Me urdhër të kryeministrit kanë filluar pagesat e prapambetura, që asnjë qytetar i RSH të mos ngelet pa pension”, ka thënë Veliaj.

Madje sipas tij edhe një nga institucionet e ushtrisë dikur sot godinë e PD-së, SHQUP-i, nuk i kishte paguar sigurimet shoqërore. “Për të gjithë ata që ishin kritikë se si i menaxhuam ne sfidat tona, gjykoj se faktet flasin shumë më shumë se fjalët. Sot kishim fakte. Vetëm vitin e fundit, falë amnistisë që bëmë në fshat, u rritën për herë të parë të ardhurat në sigurimet shëndetësore në 24 vjet. Javën tjetër kryeministri do të japë pensionet e llogaritura sipas skemës së re”, tha Veliaj.

Duke folur për zyrat e punës të hapura në të gjithë vendin, Veliaj tha se ishte një model i suksesshëm dhe paralajmëroi hapjen e tyre edhe në veri të vendit.

“Në 9 qarqe të Shqipërisë kemi modele të zyrave të punës. Shumë shpejt ne do të hapim zyrën e punës në Laç, në Kukës, në Burrel. Amerikanët kanë një shprehje të mirë, Vëri paret ku ke fjalët. Edhe ne ashtu kemi bërë”, tha Veliaj.

Ndërkohë ministri theksoi se viti 2015 do të jetë viti i luftës kundër informalitetit, duke kërkuar nga qytetarët të paguajnë sigurimet shoqërore. “Nuk do e lë pa adresuar një problem shumë të madh dhe për të bërë publike disa fakte shumë të rënda. Do donim që viti 2015 të ishte viti i luftës kundër informalitetit”.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb