TIRANE- Në kushtet e pamundësisë financiare për shkak të borxhit të trashëguar, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shpalli sot nismën “Adopto një çerdhe”, duke kërkuar mbështetje për kthimin në funksionalitet të plotë të tyre. Përmes një thirrje publike pas inspektimit të çerdhes nr. 54 në Tiranë, e cila aktualisht ndodhet në një gjendje të mjerueshme, Veliaj kërkoi nga qytetarët që të ndihmojnë me bujarinë e tyre riparimin e 31 çerdheve të kryeqytetit.

“Nëse në qytetin më të madh të shqiptarëve ka mjaftueshëm bamirësi dhe bujari, duhet të ketë edhe 31 qytetarë, biznese, fondacione apo organizata, që të adoptojnë një çerdhe. Për shkak të buxhetit të rrënuar dhe borxhit që na ka zënë frymën, e kemi të pamundur që vetëm në një javë të prokurojmë, tenderojmë apo të gjejmë financat e nevojshme për riparimin e tyre. Ndaj, sot thirrja është shumë e qartë: ‘Adopto një çerdhe’”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës sqaroi se administrata do të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme për projektet dhe për stafin, për t’u siguruar që 31 çerdhet që sot janë pa asnjë financim të kenë një fillim të mbarë të vitit, për të gjithë prindërit që duan dhe presin një çerdhe sa më dinjitoze për fëmijët e tyre. “Jam shpresëplotë se në të qytetin më të madh të shqiptarëve do të gjenden 31 njerëz bujarë, të cilët do të na shpëtojnë nga ferri financiar ku jemi sot”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se do të çmojë jashtë mase çdo ndihmë dhe se stafi i bashkisë, së bashku me vullnetarët e çdo njësie, do të jenë në dispozicion. “Borxhi që kemi në bashki është i përmasave të papërballueshme për qytetin e Tiranës. 28 milionë euro janë më shumë se sa gjysma e buxhetit faktik vjetor të Bashkisë”, tha Veliaj. Sipas tij, kjo do të thotë se në kushtet ku jemi, kur pushimet po mbarojnë dhe çerdhet duhet të funksionojë me kapacitet të plotë, Bashkia e ka të pamundur që të riparojë në kohë 31 çerdhet e Tiranës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës inspektoi paraditen e sotme çerdhen nr. 54 në rrugën “Mihal Grameno” në Njësinë nr. 2, ku pa nga afër gjendjen në të cilën ndodhet ky objekt. “Tani duhej të ishim duke mbyllur punimet dhe jo duke folur për borxhin dhe ferrin financiar ku ndodhet bashkia, por nuk jam këtu të gjej fajtorin sepse atë e dinë të gjithë. Jam këtu për të bërë një apel publik, sepse besoj se në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve, ku është përqendruar gjysma e ekonomisë së vendit dhe ku operojnë 100 kompanitë më të mëdha në vend, do të ketë vullnet për t’iu përgjigjur thirrjes tonë”, përfundoi Veliaj.

BOZDO: VELIAJ HARROI TË KËRKONTE NDJESË PËR BLLOKIMIN 2-VJEÇAR
Ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Enno Bozdo ka reaguar pas ndalesës së kryebashkiaku Veliaj ka bërë sot në Çerdhen numër 54 në kryeqytet. Duke e cilësuar atë si “Zv.kryetari i bashksië”, Bozdo ka akuzuar qeverinë për bllokimin 2-vjeçar të projektit për rikonstruksionin e kësaj çerdhe.

“Zv. Kryetari i Bashkisë Veliaj bëri sot një ekskursion mediatik tek Çerdhja nr 54 në Tiranë. U habit dhe u trishtua pa masë kur “zbuloi” gjendjen e mjerueshme të kësaj çerdheje.

Por “harroi” si gjithmonë të tregonte të vërtetën mbrapa kësaj historie ” deja vue” në Tiranë, në dy vitet e fundit:

“Harroi” të thoshte se projekti i kësaj çerdheje dhe financimi i tij janë gati prej 3 muajsh;
“Harroi” të kërkonte ndjesë për bllokimin dy vjeçar që Kryebashkiaku i vërtetë i Tiranës, Edi Rama, i bëri buxhetit dhe për rrjedhojë financimit të kësaj çerdheje dhe shumë të tjerave;

“Harroi” të përmendte faktin se në 4 vitet e fundit, në Tiranë janë ndërtuar çerdhe dhe kopshte më shumë se ne 11 vitet e Edi Ramës.

“Harroi” shumë fakte Veliaj sot, por një gjë nuk harroi: të gënjente përsëri opinionin publik!”, tha Bozdo.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: