TIRANE-Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shpërndau çelësat e apartamenteve për 30 familjet e para që përfituan banesa sociale në zonën e Shkozës, në kryeqytet.

Veliaj u bëri apel ndërtuesve dhe shoqatave të ndërtuesve për të ulur çmimet e apartamenteve sipas kërkesave të tregut, pasi në të kundërt do të paguajnë taksë për pronën.

“Unë e di që kjo zgjidhje që japim sot për 30 familjet e para apo në total 242 familjeve që do të akomodohen deri në fund të procesit, apo në total 380 familje , pasi të kalojmë edhe në pjesën e dytë në këshillin bashkiak. Megjithësë, është bërë një punë shumë e mirë , kjo nuk mjafton”.

Më tej ai shtoi se nevojat për strehim janë më të mëdha sesa mundësia për t’i dhënë banesa sociale.

“Nevojat për strehim në Tiranë janë më të mëdha ndaj i kam bërë apel shoqatës s ëndërtuesve që të ulin çmimet e apartamenteve të pashitura. Është e pamundur që disa njerëz nëmënyrë kapriçoze disa njerëz nuk i binden rregullave të tregut dhe nuk i ulin çmimet. Unë e di që jetojmë në kapitalizëm dhe di që shteti nuk mund t’ia përcaktojë çmimet privatit por ka disa gjëra që shteti mund t’i bëjë që t’i detyrojë privatet ti binden shtetit. Kjo është arsyeja pse ne do të propozojmë edhe në këshillin bashkiak që , taksat e pronës ta paguajnë edhe ndërtuesit e apartamenteve të pashitur. Në momentin që ai nuk paguan taksën e pronës ai mund ta mbajë apartamentin pa shitur edhe 10, 20 apo 30 vjet dhe asnjëherë të mos e uli çmimin”, nënvizoi Veliaj.

Sakaq, për kreun e Tiranës, nëse ndërtuesit mbajnë çmime stratosferike atehere nuk ka arsye pse të meren më leje ndërtimi në Tiranë, përsa kohë që nuk shiten.

“Ndaj apeli im për ndërtuesit është se nëse doni të mbani çmime stratosferike atehere mos vazhdoni të kërkoni të merni leje ndërtime në Tiranë. Përsa kohë që nuk shiten apartamentet me çmime ekonomike për qytetarët, të mos kërkojmë më leje ndërtimi. Dhe nëse vendosin të mos ulin çmimin kur e kërkon tregu, atehere të përgatiten të paguajnë taksën e pronës.Është e vetmja mënyrë, sesi ne mund ti kërkojnë ndëruesve të ulin çmimet për qytetarët”, u shpreh kryebashkiaku.

Këshilli Bashkiak i Tiranës, në unanimitet miratoi projekt-vendimin për shperndarjen e 242 banesave sociale për të pastrehët, në 13 gusht.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: