TIRANË- Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë u çel sot ekspozita me mbi 100 kryevepra të artit italian të 1900-ës. Falë bashkëpunimit të Bashkisë së Tiranës, Galerisë Kombëtare të Arteve, Ministrisë së Kulturës dhe Kryeministrisë, ekspozita e kuruar nga Maria Catalano, Federica Pirani dhe Stefano Roffi, do të prezantojë para qytetarëve kulturën artistike të Romës, duke kaluar nga Simbolizmi, Futurizmi, Klasicizmi i Ri, Shkolla Romane, Abstraktizmi.

I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ishte edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili falenderoi të gjithë ata që mundësuan që këto vepra të kulturës italiane të vizitohen edhe nga artdashësi shqiptar.

“Me gjithë zemër faleminderit atyre që na mundësuan të kishim një ekspozitë fantastike, me një mori kryeveprash italiane të ‘900 në Tiranë. Ne insistojmë shumë që shteti, qeveria, Kryeministri, Bashkia jonë të mundësojë sa të mundet. Në fakt, e kishim të pamundur të përballonim koston financiare të sigurimit te transportit dhe të gjithë detyrimet e tjera, ndaj u jam shumë mirënjohës kompanive shqiptare që e bënë të mundur realizimin”, tha Veliaj. Ai u shpreh se ky është edhe një moment reflektimi mbi çfarë mund të jetë qyteti kur gjërat janë të bukura.

“Impakti i një gjëje të bukur, meshije, që është estetike dhe e pastër në jetën e një qyteti, është e jashtëzakonshme. Mjafton të shikosh statistikat e kompanisë publike të pastrimit, e cila thotë se në vendin ku është instaluar art, nuk bëhet pis. Që kur kemi instaluar “Renë”, këtu përballë, tek oborri që rrinte bosh është ndoshta hapësira më e pastër, po edhe ku nuk kemi nevojë të pastrojmë, sepse njerëzit nuk bëjnë pis aty kur gjërat duken bukur. Nga të gjitha aktivitetet e Vitit të Ri, më raportuan që lulishtja përballë Kuvendit të Shqipërisë, ku ishin kryeveprat monumentale, monumentet e dritës, ishte vendi ku pastrimi i qytetit nuk punoi asnjë ditë gjatë muajit dhjetor, sepse arti impononte edhe një sjellje të bukur, një sjellje të hijshme dhe të pastër të qytetit”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se në bashkëpunim edhe me shkollat, nxënësit do të kenë mundësi që të shohin nga afër kryeveprat e artit italian. “Do doja të bëja një ftesë, kryesisht për disa nga drejtoreshat e shkollave që gjatë gjithë kësaj kohe, nga tani deri në datën 2 prill ku do të jetë e hapur ekspozita, të kemi mundësi që jo vetëm të ekspozojmë bukuritë e Romës dhe të Italisë në Tiranë, por të ekspozojmë sa më shumë prej fëmijëve tanë përpara këtyre bukurive”, tha ai.

Veliaj tha se javën e ardhshme do të hapen edhe disa hapësira të tjera për artin, ndërsa bëri të ditur se në datë 20 janar, me arkitektin e njohur nga Roterdami, Vini Mas, do të ketë një diskutim për të ardhmen e Piramidës. Ai bëri të ditur se të premten në orën 19:00, do të organizohet një festë për të rihapur Piramidën edhe për të rinjtë, ku do të bëhet publik edhe Kryetari i Bashkisë për jetën e natës. “Ne besojmë se është një industri për një qytet që do të jetojë 24 orë dhe për një turn të tretë”, tha Veliaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: