TIRANE- Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka nisur nga Njësia 8 rrugëtimin e dëgjesave me qytetarët e Tiranës për Buxhetin 2019 dhe bilancin e punës së realizuar në këto 3 vjet. Veliaj përshëndeti vendimin e qeverisë për të ndaluar të gjitha lojërat e fatit dhe pikat e basteve në zonat e populluara, duke theksuar se ai është vendimi më i mirë edhe për qytetarët e Tiranës.

“Nuk besoj se ka një nismë më të mirë të qeverisë shqiptare se iniciativa për të mbyllur të gjitha pikat e basteve e kazinove. Ej, jemi tek njësia 8, e keni parë ku e ka bustin Vojo Kushi? Është i mbytur me pikat e basteve, nuk e gjen dot Vojo Kushin tek Selvia. Pikat e basteve, duke nisur nga Vojo Kushi i pari, që lirohet në datën 1 janar, duhet të largohen nga Tirana. E dini se fondi që shkon për baste është më i madh se buxheti i Bashkisë së Tiranës në një vit? Pra, në qoftë se në Tiranë mbyllen kazinotë e bastet, do të kemi kursyer ekzaktësisht, ndoshta edhe diçka më shumë se sa është buxheti i Bashkisë, pra kemi dyfishuar financat lokale, vetëm duke mbyllur industrinë e veseve. Ky është një lajm i mirë për Tiranën, që duhet t’i gëzohemi të gjithë”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.

Veliaj nënvizoi se për të patur një buxhet sa më të drejtë dhe më realist, duhet që çdo qytetar që nuk është regjistruar ta bëjë atë pranë njësive administrative.

“Kjo do të thotë që nëse jeni një banor i ri i njësisë, jeni tek Bregu i Lumit, keni ardhur nga një zonë e veriut apo e jugut, s’ka fare rëndësi, shkoni regjistrohuni në njësi! Sa më real ta kemi numrin e njerëzve të regjistruar tek njësia 8, aq më realist mund ta bëjmë buxhetin. Nëse kemi 50 mijë banorë në letra, por në fakt janë 100 mijë në territor, sepse 50 mijë të tjerët nuk janë regjistruar, pavarësisht se ndër vite kanë ardhur nga zona të tjera, do të thotë që do të buxhetojmë për 50 mijë, se aq kemi faktik, ndaj ju inkurajoj të gjithëve!”, tha Veliaj.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: