TIRANE – Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ftoi institucionet buxhetore dhe kompanitë private të kryejnë shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të sigurimeve shoqërore. Ministri deklaroi se afati kohor është data 15 shkurt për shlyerjen e të paktën principalit të sigurimeve, ndërsa informoi se për gjobat dhe kamatëvonesat mund të zbatohet një skemë e njëjtë siç u përdor për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura te energjisë elektrike.
Veliaj tha se gropa më e madhe financiare pas gropës energjitike është ajo që ka të bëjë me pagesat e munguara të sigurimeve shoqërore. “Lajmi i mirë është se shumica e institucioneve shoqërore po kryejnë pagesat dhe brenda afatit 15 shkurt gjykojmë se vendi do të jetë pastruar nga puna e zezë”, – deklaroi ministri Veliaj. Kemi institucionet shtetërore, tha ai, që paguajnë edhe vitet e prapambetura që për tetë vite u neglizhuan dhe desh lanë 250 mijë qytetarë me boshllëqe në pensionet e tyre. “Ne synojmë që asnjë punonjës që ka punuar të mos mbetet qoftë edhe pa një ditë sigurime shoqërore”,- theksoi Veliaj.
Debia e institucioneve buxhetore ka qenë sa një e pesta e debisë totale, ndërsa katër të pestat janë debi nga rreth 50 kompani të mëdha, të mesme e të vogla. Ndaj, vijoi ai, këto kompani do të marrin një letër të detajuar ku përcaktohet buxheti, detyrimi, gjoba dhe kamatëvonesa. “Ajo që po ju kërkojmë brenda datës 15 shkurt të kenë paguar principalin. S’po flasim, tha ai, për gjobat dhe kamat-vonesat, por të paktën te paguajnë principalin që janë para direkte të sigurimeve shoqërore. Nëse qytetarit i janë mbajtur 9.5 % e pagës për detyrime shoqërore, atëherë ato duhet të shkojnë në buxhetin e sigurimeve shoqërore”,- theksoi ministri Veliaj. Njëkohësisht, Veliaj ftoi qytetarët të denoncojnë rastet e punësimit në të zezë.
Deklarata e ministrit Veliaj u bë gjatë nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Operatorit të Shpërndarjes të Energjisë Elektrike.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: