Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka prezantuar në një takim me komunitetin e Njësisë 10 në kryeqytet deputetin e Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj i cili garon për një tjetër mandat në zgjedhjet e 25 Prillit në Tiranë. Gjatë bashkëbisedimit ku merrnin pjesë edhe sportistë elitarë si Izmir Smajlaj, Gert Shima, Luiza Gega, Gjergj Muzaka, Blendi Nallbani e Shkëlqim Muça, Xhafaj u shpreh krenar për kontributin e tyre në shoqëri gjë nga e cila sic tha ai edhe vetë politika duhet të marrë shembull.

“Ju sportistët keni një meritë të madhe, të jashtëzakonshme në shoqëri. Ju e bashkoni shoqërinë. Ju i bëni njerëzit të ëndërrojnë, të shpresojnë sepse bashkoni të gjithë moshat. Ne politikanët jo gjithmonë e bëjmë këtë gjë dhe duhet të mësojmë nga ju sportistët, nga sakrifica juaj dhe nga ajo çfarë përcillni tek njerëzit e në mënyrë të veçantë nevojën për të qenë bashkë, e për të mos e parë njeri-tjetrin si armik, por në fushën e lojës si kundërshtar dhe jashtë si qytetar të këtij vendi,” u shpreh Xhafaj.

Deputeti socialist tha se Bashkia e Tiranës ka bërë shumë për sportin duke e kthyer vëmendjen te sportistët elitarë. “Dëshiroj të falënderoj Bashkinë e Tiranës, kryetarin Veliaj dhe ekipin e tij për gjithë këtë vëmendje të fokusuar tek sportistët dhe politikat për sportin. Ato janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për të na argëtuar, jo vetëm për të kaluar në mënyrë të kulturuar një pjesë të kohës e jetës sonë, por sepse shërbejnë si motiv për angazhimin e sa më shumë fëmijëve e të rinjve në sport. Vërtet janë bërë shumë gjëra të mira që do të ndihmojnë dhe besoj që në këtë mandat të ri do të jetë një shtysë akoma më e madhe për gjëra edhe më të mira në fushën e sportit, jo vetëm për ta promovuar, por për ta zhvilluar më tej,” tha ai.

Kryebashkiaku Veliaj përmendi disa prej projekteve të reja transformuese të qeverisë dhe të Bashkisë për sportin. “Një nga gjërat që ne duam të vazhdojmë të bëjmë mirë në mandatin tjetër, siç u bë Parku Olimpik dhe Arena Kombëtare, ne duam të vazhdojmë Pallatin e Sportit Asllan Rusi, ta modernizojmë totalisht në një arenë të lojërave me dorë dhe të ketë njëjtin standard. Të njëjtën gjë duam të bëjmë edhe me stadiumin “Selman Stërmasi”, tha Veliaj.

Ai shtoi se me ligjin e ri të sportit Bashkia do ndihmojë dhe inkurajojë edhe më shumë sportistët elitarë që të sjellin sa më shumë kupa në Tiranë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb