Kandidati socialist për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vijoi sot fushatën e tij elektorale me një takim me banorët e Njësisë 10, ku bëri një bilanc të punëve në këtë mandat të pare, si dhe prezantoi disa nga projektet e tjera që pritet të realizohen gjatë 4 viteve të ardhshëm. Në fjalën e tij, ai falenderoi të gjitha ata mbështetës të PD-së, LSI-së dhe PDIU-së, që i janë bashkuar këto ditë Partisë Socialiste, duke refuzuar të ndjekin partitë e tyre në rrugën për të baltosur dhe penguar Tiranën dhe Shqipërinë në rrugën e saj të zhvillimit.

“Unë dua t’u them atyre dhjetëra, qindra, mijëra çamëve, votues të LSI-së, votues të PD-së, që panë kush mban fjalën dhe kush bën punë, mirëseerdhët në Partinë Socialiste të Shqipërisë. Një parti që nuk i lë gjërat përgjysmë, që i çon gjërat deri në fund, një parti që mban fjalën, dhe e vetmja parti patriotike në çdo orë të ditës, çdo orë të natës, nga krijimi deri ditën e sotme. Ashtu si miqtë tanë nga PDIU, kohët e fundit na janë bashkuar edhe shumë anëtarë nga PD dhe të LSI. Duam t’u themi atyre, jemi vëllezërit tuaj, keni ardhur në shtëpinë tuaj, një shtëpi autentike shqiptare. Mund të mos keni rënë dakord 30 vite bashkë, por kjo betejë është për 30 vitet që do vijnë, jo për 30 vitet që ikën. Anjëherë nuk është vonë për të marrë vendimin e duhur, asnjëherë nuk është vonë për të kthyer rrugë, assnjëherë nuk është vonë për t’u bashkuar me ekipin më besnik që ka njohur shteti ynë dhe qyteti ynë”, tha Veliaj.

Më tej, Veliaj nënvizoi se PS është gjithashtu e vetmja forcë politike që pavarësisht se ka qenë në opozitë apo në qeveri, nuk e ka tradhtuar dhe nuk ka punuar asnjëherë kundër interesave të vendit. “Është e vetmja forcë e cila i ka qëndruar me rigorozitet çështjes së territorit dhe nuk është pajtuar kurrë me faljen e detit. E vetmja forcë në ditët e vështira të luftës së Kosovës, ku Saliu me partinë e tij e quante UÇK-në organizatë terroriste, rreshtonte botet që i çonin naftë Milosheviçit. Kundërshtonte marrëveshjen e Rambujesë, ndërkohë që PS hapi dyert, hapi zemrat, hapi mendjen, vendimmarrjen, portofolin, për të ndihmuar kauzën e Kosovës”, deklaroi ai.

Gjithashtu, Veliaj theksoi se këtë fushatë e sheh si një detyrim për t’u takuar me qytetarët dhe për të folur për punët e bëra, por edhe ato që duhet të bëhen më mirë në të ardhmen. “Kam takuar shumë njerëz që thonë, o kryetar e keni marrë shumë seriozisht, shikoni çfarë thonë sondazhet, kundërshtarët tanë historikë kanë frikë nga gara, nuk marrin pjesë. U them të gjithëve, ne socialistët si punën më të vogël, si punën më të madhe, si gjënë më të thjeshtë, si gjënë më të komplikuar, si betejën dhëmbë për dhëmbë për votën e fundit, si atë ku fitorja është e sigurt, e marrim seriozisht, sepse e marrim Tiranën seriozisht, e marrim Shqipërisë seriozisht, i marrim familjet tona seriozisht, e marrim misionin tonë si europiane si socialist seriozisht. Ai që është serioz në gjëra të vogla, është serioz edhe në gjëra të mëdha”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi se edhe këto ditë që kanë mbetur nga fushata duhet të jenë një sprint për të bindur të gjithë shqiptarët se 30 qershori duhet të jetë një kontratë me votë për të vijuar transformimin e Tiranës dhe Shqipërisë, dhe për t’i thënë JO çdo grupimi politik që kërkon të sakrifikojë vendin për interesat e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb