Gjatë takimit elektoral me banorët e njësisë 8, kandidati i ASHE Erion Veliaj theksoi se falë rikonstruksionit të godinave ekzistuese dhe ndërtimit të çerdheve dhe kopshteve të reja, situata ka ndryshuar rrënjësisht.

Veliaj theksoi se tashmë edhe vetë demokratët preferojnë që fëmijët e tyre t’i çojnë në çerdhet dhe kopshtet publike që ofrojnë standarde më të mira se ato private.

“U duhet thënë shokëve demokratë: çerdhja ku po shkon biri yt, a është pak më e mirë sot? Është më e mirë sepse shumë demokratë kanë futur mik për t’i çuar fëmijët në çerdhe publike, edhe pse kanë lekë për t’i çuar në privat. Sepse publiket janë bërë më të mira. Demokratëve të njësisë 8 duhet t’u themi: këto kopshtet që kemi bërë, kopshtet e njësisë tuaj, ku ju çoni fëmijët, sepse Luli i ka jashtë ose në privat, a janë më të mira sot? Janë shumë më të mira dhe ushqimi është më i mirë. Sot kemi 10 aplikime për 1 vend, ndërkohë më parë njerëzit s’i shihnin me sy çerdhet dhe kopshtet publike. Sa prej këtyre demokratëve janë futur mik për të futur fëmijët në çerdhe publike sepse janë bërë më të mira”, tha ai.

Veliaj theksoi se një nga vendimet e para të kësaj bashkie ka qenë dhe rikthimi i çekut të bebes, që Basha e hoqi.

“Vetëm fakti kur një bebe vjen në jetë, që merr një çek të bebes, të cilin Edi Rama e vuri 50 mijë lekë, por e 8-fishoi tani për të parin dhe e 16-fishoi për të dytin. Për një demokrat kjo është më mirë apo më keq? Unë them se kjo është shumë më mirë”, shtoi Veliaj.

Vetëm në Njësinë 8 në kryeqytet investimet janë rritur me 320%. “Sot vetëm në këtë njësi kemi rritur 320% investimet. Do të thotë që në ditët më të vështira, kur sapo e morëm një Bashki të falimentuar bëmë kaq shumë, imagjino sa mund të bëjmë bashkë nëse më 30 qershor, nuk shkojmë në votime për inat të tyre, por për dashurinë për këtë qytet dhe të familjeve tona, në një fitore spektakolare. Sot që jemi në ditë të mira mund të bëjmë akoma më shumë për njësinë 8”, tha Veliaj, teksa renditi një sërë investimesh si Bregu i Lumit, Pazari i Ri, sheshi “Skënderbej”, etj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb