Xhemal Allmuça dhe bashkëshortja e tij, Bajamja, të dy pensionistë, kishin pak shpresa se një ditë familja e tyre, me gjashtë anëtarë në Baldushk, do të futej në shtëpinë e re pas tërmetit të shtatorit. Por, me ndihmën e biznesit, ajo u ndërtua në kohë rekord, më e mirë, më e sigurt dhe tërësisht e mobiluar. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i dorëzoi nënë Bajames çelësat e shtëpisë së re, duke siguruar se edhe shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti i nëntorit do të rindërtohen shumë shpejt.

“Kam parë fotografitë e shtëpisë në shtator, pas tërmetit të parë. Por, dëgjova edhe historinë nga nënë Bajamja, sesi i kishte nxjerrë fëmijët, nipat e mbesat nga rrënojat e një shtëpie të ndërtuar me gurë e baltë, një ndërtim primitiv që nuk i bëri ballë as të parit, le më tërmetit të dytë. Jam shumë i lumtur që Xhemali dhe nënë Bajamja kanë sot një shtëpi të re, falë Rudinës dhe skuadrës së saj”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku tha se tashmë do të fillojë rikuperimi i 870 shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit. “Do të transformohet e gjithë zona, duke shtuar edhe shtëpitë e reja që do të bëjmë për shkak të tërmetit të nëntorit. Do të rikuperojmë 870 shtëpi të dëmtuara”, tha ai. Veliaj shtoi se për projektin e rindërtimit të banesave monofamiljare janë kualifikuar 7 kompani, ndërkohë që më pas do të fillojë puna pa humbur kohë edhe për pallatet.

“Do nënshkruajmë kontratat me 7 kompanitë që janë kualifikuar dhe secilit do i japim nga një fshat; pra, një kompanie shtëpitë për Baldushkun, tjetrës Ndroqin, Pezën, njësitë e Tiranës, e kështu me radhë. Besoj se do t’i rikuperojmë në një kohë rekord, brenda këtij viti, të gjitha shtëpitë individuale në zonat rurale të Tiranës. Më pas do të marrim kohën për të vijuar me pallatet”, tha ai.

Veliaj shprehu besimin se nëse do të vijohet me këtë frymë bashkëpunimi, ditët më të mira janë përpara për Tiranën. “Frymën që kemi ngjizur nga tërmetet dhe pandemia, kur u bëmë disi më solidarë, më të njerëzishëm me njëri-tjetrin, nuk dua ta humbasim; nuk dua të kthehemi tek historitë e vjetra ku i nxirrnim sytë njeri-tjetrit për çdo punë, por të ruajmë këtë frymë që na lidhi bashkë në momentet e fatkeqësisë. Nëse vazhdojmë me këtë mirësi e bashkëpunim, Tirana do shohë vetëm ditë të bardha”, nënvizoi ai.

Shtëpia në Baldushk, e dëmtuar nga tërmeti i shtatorit, u rindërtua nga e para prej shoqërisë FZ Construction sh.p.k. Administratorja e kësaj kompanie, Rudina Zekaj vlerësoi nismën e Bashkisë së Tiranës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb