Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet në bllokun e banimit ‘Disha”, pranë Kodrës së Priftit në Tiranë, të cilin e konsideroi një tjetër premtim të mbajtur.

“Kjo është prova se punojmë njësoj, si në Rrugën e “Durrësit”, si në rrugën “Disha”; pra, si në qendër, ashtu edhe në periferi. Ka qenë një vit i vështirë, i jashtëzakonshëm, sepse brenda vitit përjetuam tërmetet dhe pandeminë, por është fakt se nuk kemi hequr dorë nga asnjë investim.”- theksoi Veliaj.

Veliaj iu përgjig edhe akuzave të ngritura nga PD lidhur me pagesën cash për bebet e lindura në Tiran ndërsa u shpreh se sot qeveria jep çekun e bebes, kurse bashkia e plotëson edhe me një shportë me produktet bazë që i duhen një familjeje të re për ditët e para.

“Meqë Lulzim Basha e ka merak çekun e bebes, dua t’iu kujtoj qytetarëve se në kohën kur Basha ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, çeku i bebes ishte zero. Zero para për bebet, zero para për prindërit, zero fond dhe buxhet për të ardhmen e qytetit. Sot qeveria jep 400 mijë lekë për bebin e parë, 800 mijë lekë për bebin e dytë, 1 milionë e 200 mijë lekë për bebin e tretë. Kurse bashkia e plotëson edhe me një shportë me produktet bazë që i duhen një familjeje të re për ditët e para, pasi lind fëmija”, sqaroi ai.

Kryebashkiaku i bëri thirrje Lulzim Bashës të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme në Tiranë.

“Kam një propozim: Lulzim Basha duhet të kandidojë në Tiranë dhe duhet të udhëheqë fushatën e Tiranës, sepse nuk mund të kërkosh punën e Edi Ramës, pa u ballafaquar njëherë me punën në Bashki. Pa u ballafaquar me bilancin e punës që ka bërë, asnjë nga ne nuk kërkon dot një punë tjetër sepse nëse ke dështuar te puna që kishe, punëdhënësi tjetër të thotë: si mund të të marr unë ty kur ke dështuar një herë dhe të bëj suksesin tim? Për të gjitha këto arsye, Lulzim Basha duhet të kandidojë në Tiranë”, theksoi Veliaj.

Ai deklaroi se në këtë ballafaqim, Basha, si drejtues i PD, do të përballet me listën e punëve dhe premtimeve të pambajtura.

“Sa shkolla bëri ai? Zero! Sa shkolla kemi bërë dhe po bëjmë ne? 33 në total. Sa rrugë, sa pemë kemi mbjellë? Sa korsi biçikletash kemi bërë? Ky është një moment i mirë të flasim edhe për oligarkët. Kush e kishte taksën e ndërtimit sa për të larë gojën dhe kush ua ka 10-fishuar taksën atyre? Këto investime bëhen me taksën e ndërtimit të oligarkëve. Prandaj, përpara se të shkojmë në zgjedhje, le të bëjmë një ballafaqim këtu në Tiranë, ku Basha si drejtues i PD të përballet me CV-në e tij, me listën e punëve dhe premtimeve të pambajtura. Paskëtaj, le ta vlerësojë qyteti i Tiranës se kush e ka bërë punën mirë dhe se kujt mund t’i besohen edhe punë të tjera. Unë mezi e pres këtë betejë, jo si betejë llogjesh, por si betejë punësh, premtimesh të mbajtura apo suksese të arritura, të paktën për palën tonë”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb