Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot në Farkë për inspektimin e projekteve të reja, por njëkohësisht i shprehu mirënjohjen stafit në krye të detyrës edhe në këtë ditë të diel. Veliaj inspektoi punimet për pedonalen pranë Liqenit të Farkës duke e deklaruar të hapur sezonin e mbjelljeve me mbjelljen e një peme.

“Me nisjen e shirave, sot e quajmë zyrtarisht të hapur sezonin e mbjelljeve. Dua t’i ftoj të gjithë prindërit që, për çdo ditëlindje të fëmijëve, të kontaktojnë me APR-në, ata iu japin vendin dhe këshillojnë pemën e duhur. Sot është vërtet ditë pushimi, por për sa kohë nuk kemi marrë pushime kur e shkatërruam natyrën, s’duhet me marrë pushim as kur mbjellim për natyrën. E vlerësoj shumë që edhe këtë fundjavë, e kaluam me mbjellje dhe me fillimin e pjesës së dytë të pistës së vrapit dhe të ecjes, them se jemi në rrugë të mbarë. Do të vazhdojmë mbjelljet në të gjithë perimetrin e pedonales, që kjo kurorë t’i vishet liqenit në të gjitha brigjet”, tha Veliaj.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kryebashkiaku u shpreh se ajo që më parë i ngjante një landfilli, tashmë konkurron denjësisht edhe Parkun e Liqenit Artificial. “Më kujtohet se si ky ishte një vend i kthyer në landfill. Filluam me nga një pemë, nga dy e nga tre, i dëgjuam edhe cinikët e skeptikët ‘jo po nuk bëhet kështu, jo po bëhet ashtu’, por ja ku jemi sot dhe pemët janë bërë dy herë sa unë. Nëse pandemia na mësoi diçka është se duhet të lidhemi me natyrën”, tha ai, teksa shtoi se shumë shpejt, në Liqenin e Farkës do të fillojnë edhe sportet me kanoe, varka, garat triathlon dhe të notit.

Sipas tij, kjo administratë do të mbahet mend se i dha Tiranës parkun e dytë liqenor të të njëjtës cilësi, siç është ai i Liqenit të Tiranës. Veliaj tha se shqiptarët e kanë kuptuar se partia numër një janë familjet tona.

“Kjo s’është punë partish, as punë politike, kjo s’është punë krahu dhe bindjesh; këtu jemi të gjithë shqiptarë, jemi të gjithë qytetarë të Tiranës, jemi një komunitet, dhe besoj se partia numër një janë familjet tona. Nëse secili jep një kontribut me një pemë për të prodhuar oksigjen për fëmijët e vet, ky është ndoshta akti më i madh i qytetarisë që dikush mund të japë”, tha ai.

Veliaj ftoi që kësaj nisme t’i bashkohen edhe qytetarët. Në Parkun e Liqenit Bashkia e Tiranës ka ndërtuar edhe këndet sportive, ku stërviten jo vetëm grupet profesioniste, por edhe të rinj e të reja të zonës.

Një tjetër ndalesë e kryebashkiakut ishte edhe kantieri për ndërtimin e shtëpive të reja në fshatin Mjull-Bathore në Farkë. Agim Lami, familje e prekur nga tërmeti, ka përfituar nga granti për rindërtim dhe sot nisi puna për hapjen e themeleve të shtëpisë së re. Mandej, kreu i bashkisë zhvilloi një bashkëbisedim me vullnetarët dhe stafin e njësisë Farkë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: