TIRANË- Gjetja e zgjidhjeve për strehimin e komunitetit rom mbeten ndër objektivat kryesore të Bashkisë së Tiranës. Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi nga afër punën që po bëhet për ngritjen e parkut të rulove për banorët e komunitetit rom, të cilët u përmbytën gjatë shirave të muajit janar në Bregun e Lumit.

I shoqëruar nga ambasadorja e Hollandës në vendin tonë, Dewi van de Weerd, përfaqësuesi i UN-it, Brian Williams dhe drejtuesit të Ecovolis, Ened Mato, kryebashkiaku Veliaj vizioi ambientet e parkut, si dhe bisedoi me banorët që do të strehohen aty, duke u njohur me problematikat që shoqërojnë jetën e këtij komuniteti.

Veliaj vlerësoi se falë punës dhe angazhimit edhe të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, një pjesë e komunitetit rom do kenë tashmë një strehë të përhershme ku do mund të jetojnë. “Më vjen mirë që në një situatë, e cila me shirat e fundit u bë dramatike, ku shumë anëtarë të komunitetit rom ishin vunerabël prej përmbytjeve dhe u strehuan në këto kapanone për çështje të emergjencës, sot kanë një shtëpizë të vogël, modeste, por të sigurt, të ngrohtë, jashtë të gjitha rreziqeve që mund të sjellë moti e natyra. Besoj se tani, hapësirat që u përdorën për emergjencat, mund t’i kemi për çdo situatë tjetër”, tha Veliaj.

Ai shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë vullnetarët që u angazhuan dhe punuan për të mundësuar ngritjen e këtij parku, si dhe për kujdesin që tregojnë ndaj këtij komuniteti. “Unë besoj se kur punojmë të gjithë bashkë, ne mund të bëjmë gjëra që veç e veç janë të pamundura”, theksoi kryetari i Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë, ambasadorja holandeze Dewi van de Weerd u shpreh e surprizuar që brenda një kohe të shkurtër u bë një punë e madhe dhe për këtë ka shprehur falenderimin për të gjithë aktorët e angazhuar.

“Do të doja të falenderoja komunitetin që jeton këtu, që bashkë me Ecovolis morën përgjegjësinë për ta kthyer këtë në një kamp të vërtetë ëndrrash. Po ashtu, dëshiroj të falenderoj Bashkinë e Tiranës e cila dha kontributin e saj në këtë nismë. Përgëzimet e mia për këtë”, përfundoi ajo.

Kurse, Ened Mato, përfaqësues i Ecovolis, shtoi se dita e sotme është një mundësi për të dhënë një dorë dhe për të gjetur zgjidhje konkrete për një komunitet si familjet rome. “Ky park reflekton dashuri, edhe për mjedisin rrotull. Jam i lumtur sepse arritëm deri këtu, por jemi 30% e punës, kështu që kemi akoma punë përpara dhe jemi të vendosur që këtë ta bëjmë parkun më të bukur në botë”, u shpreh Mato.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: