Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi sot ecurinë e punimeve te Piramida. Kryebashkiaku premtoi që vitin tjetër, kur Tirana do mirëpresë të rinj nga e gjithë bota në kuadër të “Tirana, kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”, të marrë edhe një dhuratë, që është hapja e qendrës më të madhe të teknologjisë në vend Piramidës.

“Vitin tjetër kur do të jemi kryeqyteti europian i rinisë, të rinjve në Tiranë do u japim ndoshta dhuratën më të mirë ndonjëherë, që është një shtëpi e madhe digjitale në mes të kryeqytetit, në vendin më të lakmuar. U shpëtua ndër vite për të gjithë peripecitë që ka kaluar Tirana. Kur shikoj Parkun Rinia si u zaptua, sheshi apo zona të tjera, u shpëtua por kjo nuk mjafton, se mund ta shpëtosh diçka dhe ta mbash gërmadhë, ose mund t’i japësh jetë dhe ta transformosh”, sqaroi Veliaj.

Së bashku me të ishte edhe një përfaqësi e nxënësve dhe mësuesve të “Tumo Center”. Kryebashkiaku theksoi se tashmë në “Tumo Center” janë rreth 1 mijë nxënës të pasionuar pas teknologjisë që janë regjistruar dhe përditë po kërkojnë të regjistrohen të rinj, duke bërë të nevojshëm shtimin e kapacitetit.

“Do të kalojmë në një regjim të punës me dy turne për t’u siguruar që kapim dhe kohën e humbur nga vonesat e disa dërgesave për shkak të situatës me pandeminë. Teksa presim materiale që vijnë nga importi, për çdo gjë që ne mund ta prodhojmë në Shqipëri, mund të ecim përpara. Jam shumë krenar për faktin që e kemi kaluar atë rekordin tonë të 1 mijë nxënësve dhe sot jemi në një situatë ku është bërë emergjente rritja e hapësirave. Jam shumë i gatshëm nëse ka hapësira të tjera që ne mund të marrim me qira ta bëjmë për të mos kthyer pas askënd”, u shpreh Veliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb