Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se Bashkia e Tiranës nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë nga buxheti i saj për të sjellë në Tiranë, këngëtarët me famë botërore, Rita Ora dhe Ermal Meta, të cilët perfomuan në sheshin “Skënderbej” duke dhuruar spektakël për banorët e kryeqytetit.

“Qershia mbi tortë ishin Rita Ora dhe Ermal Meta, dy histori suksesi shqiptare dhe një nga gjërat që më erdhi shumë keq është se pati një minorancë që mundohet të bëjë telendarin sa herë që ndodh diçka e bukur. A ka mundësi që disa gjëra të bukura ne vetëm t’i lëmë të ndodhin edhe vetëm t’i vlerësojmë. Dhe nëse nuk duam të falenderojmë bashkinë vetëm ta kyçim sepse disa gjëra thjesht nuk duhen atakosur me këtë ballkanizmin që ne helmojmë çdo lloj gjëje që prodhon një të mirë. Bashkia e Tiranës, thesari është online, ka harxhuar 0 lekë, 0 qindarka”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se nëse Bashkia e Veronës pagoi për të pasur në koncert talentet shqiptarë të muzikës botërore, gjithçka në Tiranë është realizuar pa shpenzuar asnjë qindarkë.

“A përdori Bashkia e Tiranës dhe autoritetet lidhjen me Ermalin, me Ritën që t’i sillnin dhe të ndërronin axhendën? Patjetër, çdo kryetar Bashkie do ta bënte. Por kur mendoj që Kryetari i Bashkisë që i priti të dy pas Tiranës, ishte bashkia jonë binjake e Veronës dhe shpenzoi miliona për t’i pasur, ne i patëm falas dhe i përgojuam. Ata i paguan me taksa dhe i falenderuan. A ka mundësi të bëheni i çik më të mirë? Të mos bëhemi telendarë. Unë jap dorëheqjen nga Bashkia, nëse Bashkia ka harxhuar lekë për këta artistë. Por do të isha super krenar dhe po të kishim shpenzuar diçka siç bëri miku im në Verona, që i lutet, ua shtron tapetin e kuq dhe paret në dorë. Unë jetoj me punën si kryetar bashkie, gazetarët me punën si gazetarë dhe Ermali me Ritën me punën si këngëtarë. Pa atë punë nuk hanë edhe ata bukë kështu që në këtë sens le të mos bëhemi qesharakë dhe ti japim këtë damë vendit tonë sa herë që ndodh diçka e mirë dhe diçka e bukur”, deklaroi Veliaj.

Ai tha se jeta kulturore e artistike e kryeqytetit është transformuar tërësisht duke e kthyer Tiranën në një destinacion për turistët e huaj dhe vizitorët vendas.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb