TIRANE

“Nuk do të lejojmë më fishekzjarre të hidhen pa kontroll. Të harxhosh kaq shumë para me kapsolla është një humbje, ndërkohë më mirë që t’i bëjë vetëm bashkia, edhe më pak rrezik për fëmijët, edhe më pak rrezik për qytetarët, edhe ato 5 lekë kursehen më mirë, se sa i djegim e i bëjmë flakë” kwshtu u shpreh sot kryebashkiaku Veliaj, nga mensa sociale “Gonxhe Bojaxhi” te Bregu i Lumit.

Bashkia e Tiranës zgjodhi që këtë ditë feste për besimtarët e krishterë ta kalojë pranë njerëzve në nevojë dhe në pamundësi ekonomike. Të gjitha mensat sociale të Bashkisë së Tiranës, me rastin e Krishtlindjes, kanë ofruar gjatë ditës së sotme vakte për të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe ata në pamundësi ekonomike.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte i pranishëm në mensën sociale “Gonxhe Bojaxhi” te Bregu i Lumit, ku së bashku me përfaqësues të tjerë të Bashkisë së Tiranës i shërbyen ushqimin të pranishmëve, duke u uruar edhe “Gëzuar Krishtlindjen”.  Ai theksoi se në këtë muaj festash Tirana ka treguar edhe një herë se di të jetë një qytet solidar me të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetjen dhe dorën e shtetit apo të shoqërisë.

Dreka E Krishtlindjes Ne Mensen Sociale Gonxhe Bojaxhi (1)

“Jam shumë mirënjohës që Tirana ka pasur muajin rekord të solidaritet. Në çdo fshat, edhe në periferitë më të largëta të Tiranës, në çdo shkollë, të gjithë njerëzit në nevojë dhe me ndihmë ekonomike, të gjitha qendrat sociale, nga Instituti i Fëmijëve që nuk shikojnë te Instituti i Fëmijëve që nuk dëgjojnë, Instituti i personave me aftësi të kufizuar, Shtëpia e Fëmijës ku ishim sot në mëngjes, në të gjithë Tiranën, ka patur një valë të jashtëzakonshme solidariteti. Do të thotë se qyteti po bëhet pak më i mirë, njerëzit po bëhen pak më të njerëzishëm, ka më shumë dashuri”, u shpreh Veliaj, ndërsa kërkoi që ky muaj rekord i solidaritetit të mund të përsëritet në çdo muaj të vitit.

Dreka E Krishtlindjes Ne Mensen Sociale Gonxhe Bojaxhi (2)

Veliaj ftoi gjithashtu të gjithë personat që frekuentojnë mensat sociale, por edhe gjithë qytetarët e Tiranës, që t’i bashkohen festimeve që ka organizuar Bashkia e Tiranës me rastin e ndërrimit të viteve. “Bashkia e Tiranës ka përgatitur një super koncert, do t’iu ftojmë të gjithëve nga qendrat sociale që të na bashkoheni në datën 31 dhjetor. Vitin e Ri do ta presim në sheshin “Skënderbej”, do të numërojmë bashkë dhe do të kemi një spektakël me fishekzjarre e muzikë, për t’u siguruar që do të kemi një tjetër vit të suksesshëm për Tiranën, siç ishte viti 2018 që po lëmë pas”, -tha Veliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb