TIRANE

Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka akuzuar deputetin e PD dhe ish-nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku se i ka dhënë leje ndërtimi gjyshes së saj. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Veliaj tha se në Bashkinë e Tiranës ajo njihet si leja e Joridës.

“E njëjta gjë për lejen e Joridës. Në këtë bashki, kjo njihet si leja e Joridës, pavarësisht se është gjyshja, pastaj babai, por në Bashkinë e Tiranës është e Joridës. Tani unë i them Joridës: Jorida ma nxirr këtë format që unë të kem dhënë një leje në Lanë. Dhe siç e thashë, dhe s’do kishte problem nëse subjekti paguan taksat dhe ka pronat, siç bëhet kudo; taksën që ne e kemi 8-fishuar. Tani ma nxirr ku është ky format, siç e ke marrë lejen ti kur ke qenë nënkryetare, dhe siç e ka marrë Luli për veten e vet kur ka qenë kryetar. Ma gjej këtë format, që unë të kem dhënë një leje të tillë. Unë e kuptoj sikletin e Joridës, kur të ka dhënë tjetri 20 mijë metra katrorë dhe të ka bërë milionere, do dalësh do shash edhe shokët e shkollës, se ça do bësh, do dalësh do mbrosh vezët e Lulit”, tha Veliaj.

Ai shtoi se kjo, ashtu si edhe në rastin e Bashës, është një praktikë që bie ndesh me ligjin e konfliktit të interesit.
“Po si ka mundësi, që mund të kesh qenë në administratë, dhe t’i japë leje vetes së vet. Kryetari dhe nënkryetari firmosin vetë. Shkelje e ligjit të konfliktit të interesit. Kjo është dosja që të hënën do të shkojë në Prokurori dhe shpresoj që do marr përgjigje”, shtoi Veliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb