10 projekte të reja ikonike do t’i shtohen Tiranës në 5 vitet e ardhshme të bashkisë së Tiranës, që do të jenë edhe paja për gjeneratën tjetër. Gjatë prezantimit të Strategjisë së re 5-vjeçare të Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se këto projekte do të jenë imazhi i ri i Tiranës moderne.

“Në 5 vitet e ardhshme duam të përfundojmë 10 projekte kryesore, që do të jenë ikonë për Tiranën, si paja që ne ia lëmë një gjenerate tjetër të të rinjve të Tiranës. Projekti i parë: Teatri Kombëtar. Detyra jonë nuk është që t’iu pëlqejmë të gjithëve, detyra jonë është që t’i shërbejmë të gjithëve, edhe atyre që deri dje në verë shkonin me peshqir e në dimër me batanije në Teatër, e të sigurohemi që projekti i Bjarke Ingels e kthen Tiranën në kryeqytetin e artit dhe të kulturës bashkëkohore në rajonin tonë. Projekti ynë i dytë kryesor është stadiumi i ri “Selman Stermasi”. Kemi filluar gjithë procedurat dhe dhe idetë e projektit. Si projekt i tretë i yni është Muzeu i Artit Modern, si në çdo qytet i madh dhe i rëndësishëm të botës. I kemi sot mundësitë, ashtu siç u transformua TOB-i, ashtu siç u transformua stadiumi, ashtu e kemi mundësinë të kemi një Muze të Artit Modern. Hapësira do të jetë tek Bulevardi i Ri,” u shpreh Veliaj.

Po ashtu, Kampusi i ri Universitar është një tjetër projekt i rëndësishëm, ku do fokusohet puna në 5 vitet e ardhshme.

“Projekti ynë i katërt ka të bëjë me Kampusin Universitar. Ne kemi mbaruar Kampusin Universitar te Universiteti Bujqësor, 8 godina fantastike të projektuara nga arkitekti Vinny Mass; e kemi dhënë vendimin aty, nuk do të kthehemi më mbrapsht. E njëjta gjë me godinat e Mjekësisë te “Farmacia 10”, e njëjta gjë tek “21-shi”, me godinat e Inxhinierisë, dhe në Qytetin Studenti. Jemi në fazën ku po projektohet Fakulteti i ri Juridik, fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Gjuhë Letërsisë dhe Fakulteti i Shkencave Sociale,” tha Veliaj.

Ndër projektet e tjera ai veçoi Zonën e Lirë të Zhvillimit Ekonomik të Tiranës. “Projekti më ambicioz është padyshim projekti ynë i pestë, Zona e Lirë e Zhvillimit Ekonomik të Tiranës. Bëhet fjalë për hapësirën midis Kombinatit dhe Kasharit. Sapo kemi marrë licencën nga Kryeministri dhe Qeveria, që të jemi ne operatori i Zonës së Lirë Ekonomike. Besoj se do të jetë qendra më e madhe e punësimit, jo vetëm për Kombinatin dhe Kasharin, por për të gjithë ata në Tiranë që duan të punojnë në këto teknologji të reja. Ndërkohë, ka ardhur koha që të mendojmë për një Qendër të re të Konventave. Pallati i Kongreseve në 90% të vitit është i rezervuar. Kemi identifikuar një tjetër hapësirë te “Bulevardi i Ri”, përballë zonës ku duam të bëjmë Muzeun e Arteve Moderne, për të pasur një tjetër Qendër të Panaireve, Kongreseve, të Koncerteve e të Konventave. Duam gjithashtu të kemi një Qendër të Panaireve. Jemi duke parë disa hapësira në Farkë, pranë tregut Agroushqimor, sepse kemi një kërkesë të jashtëzakonshme për zhvillimin e panaireve në Tiranë,” u shpreh kryebashkiaku.

3 projektet e tjera që përmendi Veliaj janë: “Projekti ynë i tetë, që besoj do të jetë ikonik për Qytetin, ka të bëjë me Muzeun e Tiranës. Është hera e parë që bashkia blen një pronë private për t’ia kthyer publikut.
Projekti i parafundit është Kopshti Botanik. Do ta kthejmë në një hapësirë dinjitoze për Qytetin, ku t’i japim dhe një mundësi Universitetit, që ta shfrytëzojë për rritjen e kapacitetit. Duam të bëjmë të njëjtën gjë tek Kopshti Botanik. Mos na pengoni sepse do ta qajmë atë punë dhe do të jetë një hapësirë e jashtëzakonshme. Projekti i fundit do të jetë Pallati i Ri i Sportit “Asllan Rusi”. Pallati i Sportit ka qenë një hangar i avionëve të kohës së Italisë, kohës së fashizmit. Ka ardhur koha që Tirana të ketë një arenë të mirëfilltë për volejbollin dhe basketbollin,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

10 projektet:

1.Teatri Kombëtar
2.Stadiumi i ri “Selman Stermasi”
3.Një Muze i Artit Modern
4.Kampusi i ri Universitar
5.Zona e Lirë e Zhvillimit Ekonomik të Tiranës
6.Qendra e re e Konventave
7.Qendra e Panaireve
8.Muzeu i Tiranës
9.Kopshti Botanik
10.Pallati i Ri i Sportit “Asllan Rusi”

Veliaj: Kemi transformuar çdo cep të Tiranës, vijojmë me punët e mira edhe 5 vitet e ardhshme

Gjatë fjalës së tij, në analizën e punëve të Bashkisë së Tiranës dhe planit strategjik 5-vjeçar, ku u prezantuan arritjet, sfidat dhe projektet kryesore të realizuara gjatë pesë viteve të fundit, kryebashkiaku Erion Veliaj renditi gjithë punët që janë bërë deri më tani.

“Kemi rikonstruktuar 36 shkolla dhe kemi ndërtuar të reja mbi 40, ndërkohë që duam të vazhdojmë me të njëjtin ritëm edhe për lotin e fundit të shkollave. Kemi ndërtuar 9 çerdhe të reja, janë rikonstruktuar 34 të tjera. Kemi subvencionuar 50% të kostos së konvikteve dhe duam të vazhdojmë me lotin tjetër për ndërtimin e 19 konvikteve të reja. Për pak ditë përfundojmë ndërtimin te Piramida. Duam që të vazhdojmë të fuqizojmë aplikacione si Tirana ime. Kur kemi mbërritur në bashki në 2015-ën, ne kem pasur një sistem komplet demode. Sot këtë shërbim ta ofron një qytetar për çdo problematikë. E ardhmja nuk është e sporteleve, ku njerëzit rrinë me orë të tëra dhe presin në radhë. E ardhmja është digjitale. Ne duam të shkojmë 100% në një bashki digjitale në 5 vitet e ardhshme. Duam që Tiranën ta kthejmë në hapësirën më të madhe në Ballkan për të huajt, që janë nomadë digjitalë, dhe që fokusohen në shërbime të tilla. Ne do të hapin TechnoHub-in tek 5 Maji”, tha Veliaj.

Mandej kreu i Bashkisë tha se fokusi i Bashkisë së Tiranës ka qenë për çdo qytetar dhe në çdo cep të qytetit, qoftë në qendër apo në periferi.

“Duam të dyfishojmë fondin e komunitetit. Dhjetëra pallate të cilat sot mund të kenë një veshje kapotë, ashensor të ri, ndriçim të ri, një sistem të ngrohjes me panele diellore dhe një administrator që sigurohet që ashensori mirëmbahet, parkingu nuk zihet, që vlera e pallatit vijon dhe mbetet në treg. Dua që në 2023, që është edhe viti i Qytetit Evropian të Sportit, të shkojmë në 100 terrene të reja sportive. Një pjesë kemi filluar t’i përurojmë dhe do të donim që, siç nga viti i Rinisë ngeli Piramida e disa shkolla të reja, duam që nga ky vit i Sportit, Tirana të trashëgojë një ”pajë” me 100 terrene të reja sportive, si diçka që do i mbetet qyteti. Nga programi i Rindërtimit kanë përfituar deri tani 25 mijë e 100 familje në Tiranë. Kemi dhënë 11 mijë grante për ata që kanë vendosur t’i bëjnë riparimet vetë. Kanë përfituar 8000 familje nga riparimi i 526 pallateve; 3000 familje janë përfituese të granteve që kanë pasur një dëmtim më të rëndë dhe më vjen mirë që 3337 familje kanë sot bonusin e qirasë. Sot edhe në konvikte ka jetë dhe ka investime e hapësira publike, jo më në sheshin Skënderbej apo Pazarin e Ri. Një gjë për të cilën jam jashtëzakonisht krenar, më vjen mirë që në fakt që edhe në fshat është punuar, me të njëjtën frymë. Kemi punuar me të njëjtin dinjitet e cilësi, edhe në fshatra e në periferi”, tha Veliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb