TIRANE- Fëmijëve dhe të moshuarve të Tiranës u është rikthyer edhe një tjetër hapësirë publike për lojëra dhe çlodhje. Bashkia e Tiranës përfundoi ndërtimin nga e para të këndit të lojërave dhe sheshit rekreativ që gjendet pranë Piramidës, i cili do të shërbejë jo vetëm si kënd lojërash për fëmijët, por edhe si një vend ku të moshuarit mund të kalojnë kohën e tyre.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet e kryera, ndërsa theksoi ky është këndi i 24 dhe një nga më të bukurit që është realizuar në këto dy vite nga Bashkia e Tiranës.

“Kemi përuruar disa nga këndet e lodrave që kemi bërë nëpër Tiranë, por ky është pa dyshim një nga më të bukurit. Ndodhet në pjesën më të rëndësishme të qytetit, mbrapa Piramidës, një ndërtesë ikonë e Tiranës. Por, harrojmë se përveç bankës, Piramidës, qeverisë, këtu ka edhe banorë, edhe njerëz të grupmoshave të ndryshme, por sidomos fëmijët që nuk janë në marrëdhënie pune as në bankë, as në qeveri, as tek piramida apo të moshuarit që janë në pension, nuk e kanë hapësirën e tyre në këtë komunitet që ka kaq shumë jetë. Ndaj më në fund edhe kjo pjesë e komunitetit që nuk është në punë, pra fëmijët dhe pensionistët, kanë një ambient fantastik”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi se falë vizionit dhe punës së Bashkisë së Tiranës, por edhe bashkëpunimit me donatorë të ndryshëm, një hapësirë krejtësisht e degraduar është kthyer në një mjedis miqësor për fëmijët dhe gjyshërit e tyre. Kryebashkiaku u shpreh se ky kënd është dëshmia se kur ka vullnet mund të bëhen punë të mira.

“Kemi transformuar një ferrishte, një zonë totalisht të zaptuar nga mbeturinat duke e kthyer në një xhevahir urban të qytetit të Tiranës. Ku ka vullnet edhe nga “ferrat mund të dalin trëndafila”. Ky është rasti tipik se nga një ferrë e madhe ka dalë kjo lule e bukur urbane e qytetit të Tiranës”, tha Veliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb