TIRANE– Me marrjen e funksioneve mbi pyjet dhe kullotat, edhe zonat pyjore rreth Tiranës do të vihen në monitorim rigoroz nga ana e Bashkisë së kryeqytetit. Për herë të parë, për këtë qëllim në kryeqytet do zbatohet projekti për monitorimin dhe kontrollin e fondit pyjor, përmes së cilit do raportohet në kohë reale nga salla operative për kundravajtjet në pyje dhe vatrat e zjarrit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përuroi zyrat e Drejtorisë së Administrimit të Pyjeve dhe Kullotave, që do të zbatojnë këtë projekt për zonat Kllojkë, Fag dhe Shëngjergj.

Veliaj tha se veç mbjelljes se fidanëve të rinj do tregohet kujdes për monitorimin e hapësirës së gjelbër dhe për këtë qëllim janë vendosur edhe kamera të teknologjisë së fundit, të cilat do të sinjalizojnë në kohë reale për të mundësuar edhe shuarjen e shpejtë të zjarreve.

“Nuk mund t’i vëmë roje çdo peme dhe besoj se bën sens që, teksa shtojmë pyllëzimin në Tiranë, teksa shtojmë gjelbërimin dhe nisim mbjelljet për pyllin orbital, është shumë e rëndësishme që fuqinë njerëzore ta fokusojmë në këto projekte të reja, e njëkohësisht të ruajmë fondin pyjor që kemi trashëguar. Dua t’u bëj me dije se tashmë kemi vënë në funksion një kamera termike dhe një kullë vrojtimi në Malin e Dajtit, e cila përfshin rreth 300 km katrorë. Do të thotë se mundemi të shohim në kohë reale nëse dikush po dëmton pyjet. Tani që edhe pyjet e zjarrfikëset menaxhohen nga Bashkia e Tiranës, jemi më efiçentë për të shuar zjarret e parandaluar çdo dëm që mund t’i ndodhë fondit pyjor”, tha Veliaj.

Ai tha se salla operative do të funksionojë 24 orë për evidentimin e rasteve problematike dhe në të njëjtën kohë do të ndihmojë në procedimin ndaj shkelësve të ligjit, ndërsa i këshilloi qytetarët të tregohen të kujdesshëm me fondin pyjor, pasi në rast të kundërt, askush nuk mund t’i shpëtojë ligjit.

“Sistemi është një ndër sistemet më modernë. Ne arrijmë të kemi një qartësi deri në 20 km distancë, kështu që mesazhi është shumë i thjeshtë: Mos i dëmtoni pyjet; nëse i dëmtoni, e sigurt që do kapeni dhe kjo vlen si për ata që vënë zjarret, si për ata që presin pemë në mënyrë të paligjshme”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

“Këtë dimër kemi qenë jashtëzakonisht konservatorë në licenca dhe prerjen e pemëve. Kemi ricikluar pemë të rëna apo të dëmtuara, sepse besojmë se nuk ka sens të flasim për filozofinë e pyllit orbital, nëse nuk arrijmë të ruajmë dot këto që kemi. Tashmë, me futjen e teknologjisë, kemi një sallë operative ku mund të vëzhgojmë mënyrën se si po trajtohen pyjet në gjithë Tiranën, kryesisht në zonat rurale e malore. Kjo na jep mundësinë të nisim procedim ndaj shkelësve, të njoftojmë policinë apo në rastet e zjarreve, njoftimin e zjarrfikëseve”, shtoi Veliaj.

Drejtori i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Blendi Gonxhe, tha i është kushtuar një vëmendje e veçantë miradministrimit të pyjeve dhe të kullotave, ndërsa është investuar dhe në pajisjen me mjetet më moderne për mbrojtjen e fondit pyjor.

“Jemi munduar t’i krijojmë një hapësirë të re, si dhe t’i japim vëmendje dhe logjistikë Drejtorisë së re të Administrimit të Pyjeve dhe Kullotave, e cila në Bashkinë e Tiranës merr një trajtë krejt tjetër. Megjithatë, së pari, teknologjia dhe kapacitetet janë ato ku jemi fokusuar dhe sot inaugurojmë një teknologji nga më bashkëkohoret, e para në territorin shqiptar. Është hera e parë që vihet në funksion dhe na jep mundësi që me funksionet e veta, si sistem, të kursejmë njerëz, kohë e logjistikë, për ta fokusuar në ato zona që i kemi problematike në krahun perëndimor të qytetit, ku Bashkia e Tiranës po zgjerohet përsëri me projektet e reja të pyllit orbital dhe me mbjellje e parqe të reja”, nënvizoi Gonxhe.

Bashkia Tiranë, për herë të parë, do të nisë edhe procesin e hipotekimit të gjithë fondit pyjor në pronësi të saj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: