Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, takuan sot administratorët e zonave rurale dhe drejtues të bujqësisë për të diskutuar skemën e mbështetjes me naftë bujqësore në Bashkinë e Tiranës,

Kryebashkiaku tha se ky është një lajm i mirë dhe i shumëpritur për Tiranën, e cila me zgjerimin e territorit dhe kompetencave, edhe në çështje të bujqësisë, prek një numër të madh fermerësh.

“Këtë fillim vit qeveria dha një lajm të mirë për të gjithë fermerët: nafta do të jetë pa akcizë dhe pa taksa. Kjo ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e fermerëve, sidomos nga ata në luginën e Erzenit, ku toka është edhe më pjellore, ku ka shumë sera dhe zhvillim bujqësor, por edhe në zona të tjera, më malore, ku agroturizmi dhe procese të tjera të lidhura me bujqësinë kanë zënë rrënjë. Para pesë vitesh, jo vetëm që nuk flitej për bujqësinë, por Bashkia e Tiranës nuk kishte asnjë kompetencë në këtë fushë. Pas reformës administrative dhe krijimin e ‘Tiranës së madhe’, ky koncept është transformuar tërësisht. Është momenti më i mirë për të njoftuar këtë risi, thuajse përgjysmimin e çmimit të naftës: që do të thotë se ajo që shkonte më parë për taksa dhe akciza, tani merret si produkt”, u shpreh Veliaj.

Ai nënvizoi se kjo nismë e re e qeverisë shërben si një nxitje për ta kthyer bujqësinë në prioritet. “Sot, Tirana ka jo vetëm numrin më të madh të agroturizmeve dhe serave, por edhe aksesin më të madh në tregun një milionësh të konsumatorëve”, tha Veliaj.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi shpjegoi mënyrën e aplikimit të fermerëve për të përfituar. “Hyn në sistem me ID, bën aplikimin me nr. NIPT-i zyra e tatimeve e aktivizon menjëherë. Bëhet kontrollimi i përputhshmërisë së dokumenteve, fermeri kualifikohet dhe merr nga Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor kartën e naftës falas, të cilën e tërheq në çdo pikë karburanti. Nëse fermerët kanë vështirësi gjatë procesit, mund të marrin ndihmë nga zyrat e AREB-eve, agro-pikat ose të telefonojnë në numrin e gjelbër i publikuar tek faqja e Ministrisë së Bujqësisë”, shpjegoi Ekonomi.

Përmes kësaj skeme, çdo fermeri që punon tokën, i llogaritet sasia e naftës që i duhet për sipërfaqen e deklaruar. Për atë sasi nafte përllogaritet vlera e barrës fiskale, e cila do të përjashtohet dhe do të konvertohet në sasi nafte, që do të jepet falas përmes një karte të veçantë për çdo fermer.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: