TIRANE– Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ka zhvilluar paraditen e sotme një takim me artistët, ku është njohur me problematikat që ata hasin prej vitesh. Duke akuzuar Bashkinë e Tiranës se deri më tani nuk ka shpenzuar fondin për kulturën, Veliaj tha se ka formula të cilat mund të aplikohen për t’i dhënë frymëmarrje artit dhe kulturës në kryeqytet.

Veliaj është shprehur se Teatri dhe Teatri i Kukullave duhet t’i kthehen Bashkive, dhe të mos jenë kompetencë e qeverisjes qendrore.


“Bashkia nuk shpenzoi fondin për kulturën. Menaxhimi i këtij fondi nuk ka funksionuar. Por ka formula ku biznesi ka interes. Ne duam të gjejmë hapësira sesi mund ta plotësojmë fondin për artistët me fonde të tjera. Teatri dhe teatri i kukullave duhet t’i kthehen bashkisë. Pasi qeverisja qendrore nuk mund t’i bëjë të gjitha..

Çdo cent që shpenzohet për artin, kthehet në art për qytetin. në një qytet më stres dhe të dhunshëm ndonjëherë, duhet sa më shumë art, muzikë. pasi kështu edhe qyteti menaxhohet më mirë kur gjenerohet art dhe kulturë, është antidoti më i mirë ndaj stresit”, tha Veliaj.

I pyetur nga artisti Gazmend Paja se “A do të krijohen hapësira për shfaqje private?”, kandidati i ASHE tha se “Kur ka vullnet ka gjithmonë një rrugëzgjidhje, dhe shtetit nuk i mungojnë as hapësirat, e as paratë”.

Përpara artistëve Veliaj premtoi më shumë hapësira publike të cilat sot i janë dhënë privatëve dhe shfrytëzohen kryesisht për lokale.

“Bashkia duhet të lirojë hapësirat publike që i janë dhënë privatëve, duhen më shumë hapësira për të rinjtë dhe qytetarët”,-tha ai.

Ndër të tjera, Veliaj tha se bizneset kanë qenë gjithnjë në krah të qeverisë kur vjen fjala për të financuar një aktivitet artistik. Ai nuk nguroi të premtojë më shumë investime për artin dhe mbështetje për artistët”.

(el.sp/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb