Pak ditë nga nisja e vitit të ri shkollor, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj  mblodhi sot të gjithë drejtuesit e shkollave të kryeqytetit. Veliaj tha se këtë vit, Tiranës i shtohen disa shkolla të reja, të cilat pritet të ulin fluksin e nxënësve nëpër klasa.

“Lajmi i mirë është se do kemi disa shkolla të reja, që do ta ulin pak presionin. Duke filluar nga semestri tjetër, disa nga shkollat që i kishim në proçes për t’i hapur vitin tjetër, do t’i hapim që semestrin e dytë dhe kjo vlen kryesisht për njësitë 9 dhe 11, si shkollat në Kodër-Kamëz, 9-vjeçarja “Nënë Tereza” dhe gjimnazi “John F. Kennedy”, si dhe shkollat “Vaçe Zela”, “Kristo Frashëri” dhe “Andrea Stefani” tek Sheshi Shqiponja”, tha ai, duke theksuar se hapja e tyre do të shërbejë si valvul shkarkimi për shkollat e tjera të zonës.

“‘1 Qershori’ do të hapet si shkollë e re, me më shumë hapësira, që zgjidh një pjesë të madhe të problematikës midis njësisë 5 dhe 6, ku është rritur tej mase lagja e ‘Selitës’. Kemi punuar me tre turne që shkolla e “Lalmit” në Vaqarr të hapet këtë vit; pra, nëse ka shkolla ngjitur dhe nëse shkollat e reja ofrojnë më shumë kapacitet, ky do të jetë momenti ideal për të bërë një transferim të nxënësve, që mund ta kenë shkollën e re më afër banesës. Shkollën “Jeronim de Rada” e kemi bërë thuajse nga fillimi, me ndihmën e fondit të Katarit. Në këto kushte, mjafton të përdorim pak kreativitet, që nxënësve t’iu japim një variacion për orët e mësimit, ndoshta duke zhvilluar një orë mësimi jashtë, duke shfrytëzuar palestrën ose natyrën”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë kërkoi nga drejtuesit e institucioneve arsimore të shtojnë vëmendjen drejt aktiviteteve sportive dhe socializmit të fëmijëve, të cilët kanë qëndruar për muaj të tërë mbyllur, për shkak të pandemisë, duke humbur kontaktet me bashkëmoshatarët e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb