Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e cilësoi një lajm shumë të mirë vendimin e qeverisë Rama për të ndaluar importin e automjeteve më të vjetra se 10 vjet dhe krijimin e lehtësirave për ata që përdorin mjetet elektrike me zero ndotje në mjedis. Gjatë një takimi në njësinë 7, ku prezantoi Buxhetin 2019, Veliaj bëri një bilanc të punëve të kryera në tre vitet e fundit.

Po ashtu ai tha se po shihet mundësia që dogana për mjetet elektrike të bëhet zero, si një zgjidhje për të shtuar makinat që nuk ndotin mjedisin.

“Vendimi që mori Parlamenti për të ndaluar importin e makinave më të vjetra se 10 vjet është ndoshta vendimi më i mirë që është marrë për mushkëritë e çdo fëmije në vend. Faktori i vetëm i ndotjes në Shqipëri janë makinat, kryesisht makinat rraqe që vijnë nga bota, të cilat i përdorim për të shkuar nga kafja në kafe. I jam sot shumë mirënjohës Edi Ramës, qeverisë dhe 74 votave tona në Parlament, që mundësuan këtë vendim. Tirana, si përfituesja më e madhe me 1 milionë banorë dhe 200 mijë makina, i jep fund importit të rraqeve të botës”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se ashtu si qeveria kur ka një shumicë të fortë në Parlament ecën më shpejt, edhe Tirana mund të ecë më shpejt me një shumicë të PS.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb