TIRANE

Kreu i Bashkisë, Erion Veliaj ka ironizuar nga Baldushku takimet që zhvilloi në këtë zonë, kreu i PD Lulzim Basha. Ndërsa inspektoi qendrën e fshatit, Veliaj e konsideroi një lajm të shkëlqyer që kreu i opozitës del nga vilat e oligarkëve dhe shkon në Shqipërinë reale.

“Është një lajm i shkëlqyer që lideri i opozitës del nga vilat e oligarkëve dhe shkon në Shqipërinë reale. Kështu mund të shohë njësitë që dikur janë administruar nga PD-ja dhe kupton se sheshin apo rrugën mund ta kishin bërë ata, mund të kishin qenë ata në krye të punëve të vendit, mund t’i kishin bërë ata urat, këndet e lodrave, sheshet sportive. Besoj se është lajm fantastik që kundërshtari ynë po del nga zona rezidenciale, nga vilat e oligarkëve dhe po shikon aty ku punon dhe ku jeton Shqipëria reale. Ne nuk mund t’i japim njohuritë bazë të gjeografisë, pra kur je në Baldushk, je në Baldushk dhe jo në Farkë; nuk mund t’i japim dot informacion për çmimet – e di gjithë Tirana se çmimi i ujit nuk është më i shtrenjtë se çmimi i qumështit, përveçse kur je Lul Basha që e lan makinën me Evian. Por, në një familje normale, kur fatura e ujit është 65 lek/metër kub, i bie 1 mijë shishe litroshe me 65 lekë, sa gjysma e një litër qumësht. Megjithatë, detyra jonë është të tregojmë se PS di ta transformojë në çdo cep vendin, si në Tiranën urbane ku PS-ja ka fituar sistematikisht sepse është udhëhequr nga kryetarë bashkie si Edi Rama, që ka lënë një gjurmë, që s’u ka ngelur Sahati. Patjetër, ka ende shumë punë për të bërë, por sfida ime është t’i tregojmë kundërshtarëve se çfarë dimë të bëjmë në ish-zonat e tyre”, tha ai.

Teksa siguroi se ky transformim do të vijojë në të gjitha njësitë e Tiranës, ai tha se ka nisur puna për një mandat të tretë të Edi Ramës kryeministër. “Po të shikosh sot sesi edhe lideri i opozitës shkon më kollaj në Zallbastar me rrugën e re, shkon më kollaj në Zallherr me rrugën e re të Çekrezës dhe Kasallës, shkon më kollaj në Krrabë përmes një rruge e cila nuk ishte prekur prej tyre për vite të tëra kur e kanë qeverisur këtë vend. Është një lajm i mirë për ta njohur këtë realitet dhe për të kuptuar se i kemi përveshur mëngët për fushatën e tretë, për fushatën e Edi Ramës kryeministër, për fushatën e PS-së në krye të vendit. Do të fitojmë jo vetëm në Tiranën urbane, por do të kemi rezultatin tonë më spektakolar në Tiranën rurale, aty ku deri dje nuk e njihte kush as gjelin e Baldushkut, as nuk kishte investuar në këto sera, as nuk kishte sjellë këtë urbanizim”, tha kreu i Bashkisë.

Ai nënvizoi se qytetarët e kanë të qartë se kë duhet të zgjedhin dhe se cila është ajo forcë politike që merr përgjegjësi dhe mban premtimet. “Po jetojmë në një situatë të vështirë pandemie, po ashtu edhe situata e menaxhimit të tërmetit, ndaj pyetja është: Kë duam në krye të punëve të vendit në orën 03:56 kur bie tërmeti? Atë që fle gjumë, siç bëri për teatrin, për Astirin dhe çdo punë tjetër? Apo do dikë që është vetë në këmbë dhe ngre në këmbë të gjithë shtetin, për të përballuar fillimisht emergjencën dhe pastaj rindërtimin. Ky ishte Edi Rama! Për sa kohë që kjo përgjigje është e qartë në Tiranë, është e qartë edhe në fshat”, deklaroi Veliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb