Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka mbajtur fjalën e tij në startimin e FRESSH Voice teksa ka kërkuar të punohet nga të gjithë për fitimin e mandatit të tretë.

Veliaj tha se kur PS është e fortë, edhe Shqipëria është e fortë, por ndërkohë nuk kurseu thumbat as për kundërshtarët e PD.

Konkretisht, Veliaj e kishte për Sali Berishën dhe ironizoi PD duke thënë se po diskuton ende se si do të rikthejë një plak 80- vjeçar sërish në parlament.

 

“Po nuk zbritëm në fushë, jemi si ata tifozët që rrinë në tribunë, thonë si bëhet goli, por nuk kanë gjuajtur top me këmbë, thonë si luhet në skuadër, por nuk kanë dhënë kurrë një pas, për të treguar se besojnë te skuadra. Ne nuk jemi si ata. Ne nuk jemi nga ata që vetëm ankohen, qe kërkojnë birra falas, një kafe falas, por ne i fitojmë gjërat me punë. Fitoren tonë të tretë, do ta fitojmë me punë, se vetëm puna flet më shumë se fjala. Jetojmë në një situatë ku kudo ku kthejmë kokën ka mllef, ka helm, ka pengesa, ka stërkëmbësha, por misioni ynë është që të jemi ilaç, misioni është që të kurojmë, misioni ynë që të pajtojmë, misioni ynë që të  bashkojmë. Boll përçarje ka! Imagjinoni, të rinjtë e forcës tjetër, që është dy herë më pak se e jona, janë duke diskutuar nëse një plak 80 vjeçar duhet të vazhdojë të shkojë në parlament, pasi i ka bërë kaq shumë fatkeqësi Shqipërisë. Imagjinoni ku është niveli i debatit  të tyre. Niveli i debatit tonë është siç bëmë liqenin këtu, të bëjmë liqenin e Farkës, siç bëmë Amfiteatrin këtu, të bëjmë amfiteatrin te Universiteti Bujqësor. Kjo është puna, e jo si të kthejmë një plak 80 vjeçar prape në parlament. Kur PS është e fortë, edhe Shqipëria është e fortë”, deklaroi Veliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb