TIRANE– Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, është takuar me banorët e njësisë 11 në kryeqytet pasditen e sotme, për të folur mbi programin e tij për rilindjen e qytetit. Duke u shprehur se Laprakës i kanë munguar prej vitesh investimet, Veliaj tha se vizioni i ASHE është zgjidhja e problemeve dhe rritja e shërbimeve për qytetarët.

Ndërkaq, Veliaj ka reaguar edhe ndaj deklaratës së PD për legalizimin e klinikës së kandidatit të djathtë Halim Kosova.

“Kosova shkeli lejen e ndërtimit e për pasojë ka ndërtuar pa leje. Nëse Halim Kosova ndërtoi me leje, atëherë pse aplikoi për legalizim e klinikës? Çfarë kishte joligjore klinika private e Kosovës, që u legalizua më 2013? Kosova kërkoi legalizim të klinikës në 2006, pasi shkeli ligjin e lejen e vitit 2004.

Për çështjet e arsimit, ai vuri në dukje nevojën për shkolla të reja ose rehabilitim, mungesën e ngrohjes dhe keqadministrimin arsimor, qendra kulturore dhe biblioteka të munguara, kopshte ose çerdhe të reja ose në nevojë rehabilitimi dhe mungesën e hapësirave sportive e rekreative. Për të zgjidhur këto probleme, kandidati i majtë premtoi zgjerimin e kapacitetit të shkollës 9-vjeçare “Isa Boletini”, instalimin e sistemit të ngrohjes të shkollë 9-vjeçare “Kolë Jakova”, ndërhyrjen te kopshti nr. 28 për të zgjeruar gjithashtu kapacitetin, ndërtimin e një çerdhe të re dhe hapjen e një biblioteke të re.

“Ne kemi identifikuar 3 hapësira të tjera në rrugën Hysni Gërbolli, që do transformohen në kënde lojrash për fëmijët. Kemi identifikuar 5 hapësira që kanë mungesë totale gjelbërimi”, tha Veliaj, ndërsa preku çështjen e hapësirave të gjelbra në Njësinë 11. Ai tha se në këto zona, problematike është mungesa e gjelbërimit në qytet, prezenca e hapësirave të pashfrytëzuara, mungesa e terreneve sportive ose amortizimi i tyre, si dhe mungesa ose amortizimi i këndeve të lojërave.

Krahas projekteve të dedikuara për zonën, kandidati i koalicionit të majtë solli në vëmendje ndërtimin e Bulevardi të ri Tiranës, si një ide e Edi Ramës dhe ekipit të tij në vitin 2011.

REAGON PD: FUSHATA E RAMËS, E BAZUAR MBI GËNJESHTRËN E SHPIFJEN
Pas akuzave të kandidatit të ASHE për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar edhe Partia Demokratike. Duke reaguar ndaj shtabit të Veliajt, nga kjo forcë politike thuhet se “Shtabi i kandidatit të Edi Ramës për Tiranën konfirmoi sot se leja e godinës ekziston dhe se pretendimi i tyre bie. Shtabi i kandidatit të Edi Ramës vërtetoi dhe një herë se fushata e tij është e bazuar mbi gënjeshtrën, mashtrimin e shpifjen”.

(el.sp/balkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb