TIRANE- Përmes një postimi në Facebook, kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka njoftuar se është arritur një marrëveshje me artistët për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar duke i dhënë fund maratonës së mosmarrëveshjeve për këtë çështje.

Veliaj ka postuar një foto me aktorët Arben Derhemi (një nga kritikët më të fortë), Alfred Trebica dhe regjisorin Altin Basha, të cilët kanë qenë skeptikë për ndërtimin e një Teatri te ri Kombëtar. Kryebashkiaku thotë se kur ka vullnet, ka rrugëzgjidhje.

“Kur ka vullnet, ka rrugëzgjidhje!
Mirënjohje nga zemra aktorëve, regjisorëve, arkitektëve, inxhinierëve e sidomos sindikatave e protestuesve! ? Falë kontributit të secilit kemi një marrëveshje më të mirë dhe jemi sot gati të nisim negociatat për një Teater të ri Kombëtar! ?”- ka shkruar Veliaj.
YH6BN

Veliaj saktësoi se është rënë dakord që në ligj të jepen garancitë e duhura për artistët që Teatri i Kombëtar do të jetë në sipërfaqen ku ajo ekziston edhe sot, me një godinë të vetme dhe që mbi të gjitha, që do të bëhet pa shpenzime të fondeve publike.

“Projekti që kemi sot është më i mirë. Nuk është ndoshta projekti perfekt, por tashmë e kemi të sanksionuar në ligjin që do të negociojë teatrin e ri, se prona e teatrit nuk preket, që e negocion teatrin e ri si një ndërtesë monovolum, pa kulla sipër, dhe që e negocion këtë teatër të ri me çelësa në dorë, me para të privatit, që edhe kushdo shqetësohet pse po harxhojmë për artin kur s’kemi bukë për të ngrënë, që edhe kjo s’është e vërtetë, të mos e ketë këtë shqetësim sepse nuk do të taksohet njeri për këtë propozim”, shtoi Veliaj.

Ndërkohë pas këtij lajmi nga Veliaj, gjatë një prononcimi për News24, aktori Arben Derhemi ka thënë se artistët janë në negociata gjatë gjithë kohës për këtë çështje dhe ka ende disa pika që nuk janë dakord.

“Jemi në negociata gjatë gjithë kohës, pasi ka ende disa pika ku nuk jemi dakord. Ne kërkuam që të bëhet konkurs për godinën e re të teatrit. Territori i teatrit është një pikë që nuk negociohet”- tha Derhemi.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: