Ndonëse prej disa kohësh artistë, përfaqësues të shoqërisë civile, por edhe qytetarë të tjerë vijojë protestën e tyre tek Teatri Kombëtar, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj nuk tërhiqet nga vendimi se ajo godinë do të shembet.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Veliaj i bëri të qartë të gjithë atyre që vijojnë rezistencën dhe shprehen kundër shembjes së teatrit, se ndërtesa e re do të ndërtohet.


“Aplikojmë në këtë buxhet edhe koston dhe tarifën e konsulentit për teatrin e ri. Të mos ketë asnjeri iluzione, teatri I ri do bëhet! Ne do japim parkingun e Bashkisë, komplet i pavlerë siç e patë në inspektimin që u bë, ai parking që është komplet një landfill dhe një pocaqi aty dhe në shkëmbim të një prone që shumica as nuk e parë se nuk ka pikë vlere, përveç se kur vajtëm nga bashkia për ta inspektuar, do marrim një teatër që vlen minimalisht 30 milionë euro.


Nëse është dikush më i aftë, i vetmi më i aftë për të bërë një punë të tillë ka qenë kryeministri që dha prapë një zgëqe “Qemal Stafën” dhe sot po del një bizhu për Tiranën. Nuk ka asnjë arsye pse të mos e replikojmë. Atyre që po lodhen tek teatri, u them: Ruajini energjitë se ne do i bëjmë gjërat sipas procedurave, donit garë, garë bëmë! Donit komision, komision bëmë, donit sipas BE, pavarësisht se na e la tek dera, prapë sipas BE, por tani që i respektuam të gjitha teatri do bëhet.


Thjesht ju them: Mos harxhoni kohë se ne do i bëjmë të gjitha procedurat dhe nuk do e prishim fshehurazi. Kur të nisë ndërtimi i teatrit të ri do ndodhë në një ditë me diell, për të filluar një punë të mirë për Tiranën, që vitin tjetër mbush 100 vjeç dhe nuk ka nevojë që shekullin e dytë të vetin ta jetojë tek teatri I shekullit të parë, por duhet të ketë një teatër të ri”, tha Veliaj.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb