* Bashkia e Tiranës dhe OSHEE zhvendosin shtyllën e tensionit në “Don Bosko”

TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës i ka bërë thirrje PD-së të mos vandalizojë qytetin në protestën e radhës. Duke përfituar nga një aktivitet ku mori pjesë, Veliaj tha Bashkia nuk do të hezitojë të penalizojë sërish cilindo që dëmton qytetin.

“Kjo është një javë ku qyteti sërish mirëpret protestën e radhës. I lus organizatorët e protestës, që të mos jetë sërish një protestë vandale! Ne nuk do të hezitojmë që të penalizojmë sërish cilindo që shkul një pllakë, që vjedh një pusetë, cilindo që pret një pemë ose që dëmton dekorimet në qytetin tonë. Në qytet, gjërat bëhen në bashkëpunim. Siç e pamë nga heqja e shtyllës sot, ka gjëra për të shkatërruar në qytet, kjo ishte një gjë për t’u shkatërruar, ndërkohë që qyteti ka edhe shumë gjëra për të ndërtuar. Ndaj, e gjithë kjo energji “shkatërruese” le të shkojë për gjërat që duhen shkatërruar dhe që përbëjnë pengesë, siç ishte kjo shtyllë, le të mos shkatërrojmë gjërat e bukura, gjërat që rregullojmë dhe që paguhen nga taksat e të gjithëve!”, tha Veliaj.

Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike kanë realizuar ditën e sotme zhvendosjen e shtyllës së tensionit të lartë, e cila ndodhej në mes të rrugës “Don Bosko” dhe pengonte kalimin normal të qytetarëve. Për të ndjekur këtë aksion të përbashkët, ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtori i OSHEE-së, Adrian Çela, të cilët vlerësuan ndërhyrjen për lirimin e kësaj hapësire që do të sjellë më pas investimin në rehabilitimin e plotë të trotuareve në këtë rrugë.

“Bashkia do të vazhdojë investimet në rrugën “Don Bosko” me të njëjtin standard me të cilin ka investuar në rrugën paralel që është rruga “Dritan Hoxha”. Ne do të kujdesemi që 190 milionë lekë të investohen në trotuaret e rrugës “Don Bosko”, ju e dini fare mirë që një pjesë e përmbytjeve të Tiranës shkaktohen në këtë rrugë, do të sigurohemi që të ndërhyjmë edhe në kanalizime, për t’u siguruar që ka një lidhje të kolektorëve të ujit”, u shpreh Veliaj.

Ndërkohë, drejtori i OSHEE, Adrian Çela, tha se “Domethënia e spostimit të kësaj shtylle është më shumë sesa për të treguar atë çfarë duhet të bëjmë, gjëra të thjeshta të cilat për qytetarët janë shumë të prekshme. Ne vërtet po bëjmë investime por primare ne kemi edhe jetën e qytetarëve. Në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, gjatë muajit të kaluar kemi spostuar 6 shtylla të tilla që ishin kthyer në “gangrenë” në akset rrugore të qytetit, kanë mbetur edhe dy shtylla të tjera në zonën e Freskut të cilat do i spostojmë këto ditë. Ajo për të cilën jemi impenjuar me Bashkinë e Tiranës dhe që kërkojmë ta shtrijmë në të gjithë bashkitë e tjera të vendit nuk është vetëm lirimi i këtyre kabllove por me Bashkinë e Tiranës kemi marrë një impenjim më madhor, çlirimi i nënstacionit që ndodhet pas hotel ‘Tirana’”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb