TIRANE- Rreth 20 mijë prej tyre do të ulen për herë të parë në auditoret e universiteteve në Tiranë. Për t’i uruar mirëseardhjen në rrugëtimin e tyre të ri në kryeqytet, kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë dhe të rejat në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ku theksoi se investimi më i madh për një vend është tek arsimi.

“Pyetja është se çfarë do të bëjmë me jetën tonë? Mund të vijmë vërdallë tre vite nëpër Tiranë, ose mund të themi: Hej, kjo është maratonë, duhet vrapuar përditë sepse ndërkohë që ti je pushim, po vrapon dikush tjetër. Nëse dikush vjen nga një provincë e Shqipërisë, duam ta dini se në Tiranë ju presim krahëhapur, ju respektojmë, dhe jemi tifozët më të mëdhenj të suksesit tuaj. Besojmë se shtimi i Tiranës me studentë të mirë, me njerëz të mirë, me qytetarë të devotshëm, me njerëz të rinj pasionantë, e bën qytetin më të mirë, jo më të keq. Për mbi 20 mijë studentët që fillojnë për herë të parë vitin e ri studentor, statistikat tregojnë se 9 nga 10 do të jetojnë në Tiranë dhe nuk do të kthehen në rrethin nga kanë ardhur. Kjo nuk duhet të na trembë. Unë besoj se Tirana sot është epiqendra e çdo zhvillimi politik-kulturor-ekonomik dhe mendoj se çdo djalë e çdo vajzë, pavarësisht si e kanë mbiemrin, pavarësisht çfarë lidhje ka me partitë, duhet të ketë një shans t’ia dalë me sukses në Tiranë dhe kjo është ambicia e Bashkisë së Tiranës”, deklaroi ai.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb