Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti sot në takim grupin parlamentar të miqësisë Francë-Shqipëri, me të cilët bisedoi rreth shtimit të marrëdhënieve në fushën ekonomike, të teknologjisë së informacionit dhe fuqizimin e rinisë.

Kryesuesja e këtij grupi, Mireille Clapot, vlerësoi Tiranën për jetësimin e reformave dhe energjinë e jashtëzakonshme përmes kantiereve të saj të punës. “Tirana përcjell një energji të jashtëzakonshme në të gjitha kantieret e saj, me dëshirën për ndryshime urbane, pa e harruar të kaluarën, por duke u projektuar drejt së ardhmes. Për ne, perspektiva e integrimit të Shqipërisë drejt BE-së është veçanërisht e rëndësishme. Kemi vëzhguar dhe admiruar sesi një kryeqytet i madh po jetëson reformat, por u interesuam veçanërisht për faktin sesi Tirana po përballet me sfida tejet të rëndësishme, siç janë ato ekologjike, të trajtimit të ujërave, të mbetjeve dhe transportit. E të gjitha këto filluan në mënyrë simbolike, me rregullimin e Sahatit të Tiranës”, tha deputetja franceze.

Teksa i dorëzoi, Mireille Clapot, Kullën e Sahatit, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se miqësia mes dy vendeve do të forcohet edhe më tej vitin e ardhshëm, kur Tirana merr stafetën si Kryeqyteti Europian i Rinisë. “Jam shumë i lumtur që mirëpres në Tiranë një grup deputetësh nga parti të ndryshme franceze, por të bashkuar në miqësinë me Shqipërinë. E vlerësoj jashtë mase që brenda këtij viti, edhe pse me pandeminë dhe shumë vështirësi në lëvizje, kjo miqësi midis Shqipërisë dhe Francës ka qenë prioritet. Mezi pres që ta forcojmë këtë marrëdhënie kur, vitin tjetër, të marrin stafetën si Kryeqyteti Europian i Rinisë, nga një qytet francez”, tha Veliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: