*Shpend Ahmeti: Kemi çfarë shkëmbejmë dhe të mësojmë nga njëri-tjetri

TIRANE –Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti sot në Tiranë, kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe delegacionin që e shoqëronte.

Në një konferencë të përbashkët për mediat, Veliaj theksoi se i prezantoi homologut Ahmeti planet për sheshin “Skënderbej”. Kryebashkiaku bëri të ditur se pllakat dhe gurët për sheshin do të porositen në Kosovë dhe bimët në viset e tjera shqiptare.

“Më ven mirë që i prezantova shpendit planet tona për sheshin “Skënderbej”, nuk do kemi këtë trafik dhe zhurmë. Pllakat dhe gurët do vijnë nga Kosova dhe bimët nga viset shqiptare. I gëzohem suksesit të tij në Prishtinë. Jemi optimistë për mënyrën se si Prishtina po shkon në drejtimin e duhur. E falënderoj publikisht Shpendin për frymëzimin dhe punën fantastike që ka bërë në Prishtinë. Mirëseerdhët në Tiranë, kjo është shtëpia juaj sa edhe shtëpia jonë.”- deklaroi Veliaj.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti theksoi se Tirana dhe Prishtina kanë çfarë të shkëmbejnë dhe çfarë t’i mësojnë njëri-tjetrit.

“Tash është ideja që të vazhdojmë me hapa konkret në bashkëpunimin mes komunave. Të shohim mundësinë e bashkëpunimi dhe të mësojmë nga njëri-tjetri. Kemi çfarë shkëmbejmë. Ka shumë gjëra që mund t’i mësojmë nga njeri-tjetri. Mundemi bashkë me Tiranën të aplikojmë për fonde evropiane. Është mirë që kuvendet komunale të bashkëpunojnë dhe të na e bëjnë punën më cilësore dhe kualitative. Tash e tutje do të kemi vetëm projekte konkrete bashkëpunimi.”- deklaroi Ahmeti.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb