Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim Zëvendës ministrin e Kulturës dhe Rinisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, Shkëlqesinë e tij, Mubarak Al Nakhi, me të cilin diskutoi mbi investimet e reja në kryeqytet. Në shenjë mirënjohjeje, Veliaj i dhuroi atij edhe “Kullën e Sahatit” të Tiranës.

“Me Emiratet e Bashkuara kemi punuar në disa projekte për qytetin tonë, si Bulevardi i Ri apo Bregut i Lumit. Lumi sot është më i sigurt dhe nuk i përmbyt më familjet aty, por po kthehet edhe në një qendër të banuar, me ndërtimin e një lagjeje për strehimin e familjeve të prekura nga tërmeti, si dhe zhvillime të tjera private. Po ashtu, disa nga institucionet shtetërore, siç mund të jenë gjykatat apo godina e re e Bashkisë, do të zhvendosen aty. Më vjen mirë që për 100 apo më shumë vitet e ardhshme, emri i Emirateve të Bashkuara do të jetë gjithmonë i lidhur me Tiranën, prej ndihmës me Bulevardin e Ri dhe lumin e Tiranës”, tregoi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se Bulevardi e Ri do të identifikohen në të ardhmen si një zonë zhvillimi me në fokus financë-teknologjinë.

  • foto galeri
  • foto galeri

“Më shumë se sa infrastruktura rrugore ose infrastruktura fizike, më e rëndësishme është infrastruktura njerëzore. Besoj se edhe këtu kemi çfarë të mësojmë nga Emiratet, për mënyrën si janë zhvilluar qendrat, zonat e lira ekonomike, zonat e financës dhe teknologjisë, shembuj të cilat ne duam t’i ndjekim. Zona te Bulevardi i Ri duam që të jetë një zonë kushtuar financës dhe teknologjisë”, u shpreh kreu i Bashkisë.

Tirana këtë vit ka qenë “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”, ndërsa vitin tjetër do të jetë “Qyteti Evropian i Sportit” dhe sipas kryebashkiakut Veliaj, këto janë dy fusha të jashtëzakonshme bashkëpunimi mes dy vendeve.

“Rinia, sporti janë fusha që nuk njohin kufij, ndaj mezi pres që, me ardhjen tuaj, të hapim edhe një kapitull të ri bashkëpunimi, tani jo më mes shtetesh e qytetesh, ku kemi pasur një marrëdhënie të shkëlqyer, por një marrëdhënie mes djemeve e vajzave të Emirateve dhe të Shqipërisë. Kemi një fillim të mirë, kemi fluturimet direkte. Gjithashtu, do kemi bashkëpunim mes universiteteve dhe shkollave, ose ekipet tona sportive. Besoj që, vërtet ditët tona më të mira janë përpara, edhe pse sot kemi një marrëdhënie të shkëlqyer dhe mezi pres që të bëjmë akoma më shumë”, përfundoi Veliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb