Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi Zonën e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik të Tiranës (TEDA) në Kashar. Përmes TEDA Tirana, Bashkia e Tiranës synon të thithë investime të huaja direkte, duke zgjeruar gamën e industrive operuese në tregun shqiptar, me fokus te industritë prodhuese si sektori automotiv, teknologjia e informacionit, elektronikë, bioteknologji, tech-logistics etj.

Kryebashkiaku Veliaj tha se ndihet i lumtur që, së shpejti, do të hapen thirrjet e para për bizneset që duan të aplikojnë për t’u bërë pjesë e Zonës së Lirë Ekonomike. “Ky është një projekt për të cilin kemi kohë që punojmë. Ka qenë një bashkëpunim i jashtëzakonshëm mes Qeverisë dhe Bashkisë. Bëhet fjalë për një territor të madh toke, fillimisht 35 ha, potencialisht 50 ha dhe idealisht 100 ha, në varësi si ecën projekti, i cili ndodhet në një hapësirë fushore mes dy akseve, aksit të Kombinatit dhe aksit të rrugës Tiranë-Durrës-Kashar. Kjo hapësirë do të jetë shtëpia e re e Zonës së Lirë Ekonomike të Tiranës, ku një biznes mund të investojë pa u shqetësuar se kush e ka tokën në pronësi, me sa pronarë duhet të flasë, sa negociata duhet të bëjë, kush do të jetë sekseri, apo agjencia, që do të më koordinojë etj. Nuk ka dhimbje koke si këto. Qeveria dhe Bashkia kanë krijuar një stacion, i kanë dhënë një status ligjor kësaj zone të lirë ekonomike dhe një kompani mjafton vetëm të paraqitet tek enti zbatues, për t’u akomoduar në Zonën e Lirë Ekonomike,” u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku tha se tashmë kanë ardhur edhe kompanitë e para, që duan të investojnë dhe të bëhen pjesë e TEDA Tirana, ndërsa e cilësoi këtë si një përfitim të madh sidomos për banorët përreth zonës. “Shumë kompani nga Izraeli janë shprehur se, nëse hyn kjo data center në Shqipëri, edhe 87 kompanitë tona që i kanë lidhur bizneset me këtë data center, janë gati të transferohen aty. Ky është një lajm i shkëlqyer, sidomos për ata që banojnë në zonën e Astirit, Kombinatit, Misto Mames dhe Kasharit. Bëhet fjalë për të krijuar një treg pune për 5-7 mijë persona të mirëpaguar, që sigurisht përfituesit kryesorë janë ata që e kanë afër shtëpisë. Nuk e kemi zgjedhur pa dashje zonën, duke qenë se shumica e çifteve të reja, shumica e studentëve dhe shumica e atyre që janë qytetarë të rinj në Tiranë, fillimisht vijnë si studentë dhe më pas krijojnë familje, banojnë në atë zonë”, sqaroi ai.

Veliaj tha se e gjithë zona do të ngjasojë me një kampus dhe se ekonomia në Tiranë është dyfishuar, sipas shifrave të punësimeve dhe bizneseve të reja. “Sot jemi në një Tiranë, e cila në 8 vitet e fundit është shtuar me 166.600 vende të reja pune. Do të thotë se Tirana është gjysma e ekonomisë së vendit dhe gjysma e punësimit, por edhe gjysma e taksave që paguhen në buxhetin e Shqipërisë. Praktikisht, një bashki që gjeneron ekonomi. Ne kemi llogaritur që një ditë në ekonominë e Tiranës gjeneron 20 milionë dollarë. Ajo që më vjen mirë është që janë rritur bizneset në Tiranë dhe nga 37.500 biznese të regjistruara në të gjithë qytetin në 2015, sot janë 55 mijë biznese”, tha më tej kreu i Bashkisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb