Kryebashkiaku Veliaj ishte i pranishëm në familjet e Mitat Likës, Vladimir Baxhisë dhe Afroviti Lamanit në njësinë 10, pranë zonës së Myslym Shyrit, ku numri i të moshuarve të vetmuar është i lartë.

Kreu i Bashkisë u kërkoi banorëve që të vijojnë të qëndrojnë në banesat e tyre, duke respektuar udhëzimet e autoriteteve, ndërsa i garantoi se ndihma nuk do të mungojë. “Të hënën tregu do të jetë i hapur, ndaj nuk ka nevojë të blejmë nesër sikur është Viti i Ri, as të dyndemi në një vend. Kjo është edhe punë mentaliteti; ne mund të vëmë polici, ushtri, blinda, por në finale njerëzit duhet të kuptojnë se do të ketë prapë ushqime. Duhet t’i informojmë njerëzit se kjo nuk zgjidhet me ushtri, por do edhe pak mentalitet. Bli sa ke nevojë për një ditë e gjysmë. Do jetë i hapur prapë tregu të hënën. Sepse një pjesë e madhe mendojnë se do vijë qameti”, tha ai.

“Nuk kemi gabuar që të kemi zgjedhur kryetar. Ke urbanizuar gjithë fshatrat rreth e rreth Tiranës, u ke dhënë mundësi që, edhe ato produkte që prodhojnë, t’i bien këtu në mëngjes e t’i shesin. Bravo të qoftë!”, u shpreh një prej të moshuarve të kësaj njësie.

Nisur nga interesi tepër i madh i banorëve të njësisë për parkun Rinia, i cili është transformuar tërësisht nga Bashkia e Tiranës, Veliaj nënvizoi se hapja e tij do të bëhet në një moment të dytë, pasi të kalojë kjo periudhë.

Duke i siguruar se të gjitha banesat e dëmtuara nga tërmeti do të rindërtohen, Veliaj bëri me dije se kontenierët që përdoren si banesa të përkohshme do të ruhen në magazine për çdo nevojë në të ardhmen. Një vëmendje të posaçme këto ditë i është kushtuar edhe atyre familjeve që janë në nevojë dhe të papunë për momentin. Sikurse familja Shquti në njësinë 10 që mori pako me ndihma nga kryebashkiaku Veliaj, grupet e punës vijojnë çdo ditë shpërndarjen e pakove ushqimore. Vetëm në njësinë 10 janë rreth 500 familje që janë asistuar në këtë periudhë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: