Një tjetër risi që do të zbatohet në mandatit të dytë të kryebashkiakut Veliaj, për të shtuar çerdhet dhe kopshtet e reja në Tiranë, është “detyrimi” i të gjithë atyre që duan të zhvillojnë një pronë në kryeqytet, që një pjesë të truallit të pa shfrytëzueshëm ta vendosin në dispozicion të Bashkisë së Tiranës. Kjo e fundit do ta kthejë atë pronë në çerdhe ose kopshte.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në takimin me donatorë, përfaqësues të bizneseve dhe grupe të interesit që merren me fëmijët, tha se nisur nga kërkesa dhe interesi i lartë që kanë shfaqur prindërit për çerdhet dhe kopshtet publike këto 4 vitet e fundit, është parë si zgjidhje që mund të amortizojë këtë fluks të lartë kërkesash edhe shtimi i ambienteve të reja nëpërmjet bashkëpunimit me ndërtuesit.

“Një nga gjërat që kemi filluar të aplikojmë për të gjithë zhvilluesit është se do “detyrohen” që në tokën që nuk zhvillojnë dhe që është përtej koeficientit të shfrytëzimit 45%, do të duhet që përpara se të marrin lejen, t’ia falin me letra në Hipotekë, Bashkisë së Tiranës, e cila ta shfrytëzojë për kopshtin apo çerdhen e ardhshme. Në dukje duket si një shtrëngim ndaj sipërmarrësve, por në fakt nuk është aspak i tillë, përkundrazi është avantazh”, tha Veliaj.

Ai theksoi se kjo ka dy të mira edhe për vetë ndërtuesit, pasi në këtë mënyrë shmangin problemet me pjesën që është e pashfrytëzueshme dhe nga ana tjetër rrisin vlerën e objektit të tyre, për shkak se një apartament do të ishte më i preferuar nëse afër do të kishte një çerdhe ose një kopsht. “Së pari, ti ndërton vetëm në 45% të truallit tënd, por duke e mbajtur të pashfrytëzuar kthehet gjithmonë në objekt i një zaptimi, i një lavazhi, i një lokali, që gjithmonë prodhon një konflikt konstant midis banorëve të ardhshëm të atij pallati. Ndaj, në momentin që merr lejen e ndërtimit, pjesën tjetër që nuk e shfrytëzon, të dedikuar për kopshte apo çerdhe, ia fal Bashkisë me hipotekë, dhe është e vetmja mënyrë që t’i rritet vlera edhe ndërtesës. Kemi parë që kur njerëzit blejnë sot një apartament, nuk kërkojnë vetëm m2 ose vendndodhjen, por pyesin edhe ku është kopshti apo çerdhja më e afërt, ku është klinika më e afërt, këndi i lojërave. Në dallim nga më përpara, kur njerëzit blinin edhe pa hipotekë, sot jo vetëm që klienti është bërë më i sofistikuar, por sheh edhe këto kriteret e tjera. Në fakt, kjo të kthehet në avantazh nëse i fal Bashkisë këtë tokë, pasi apartamenti shitet më shumë”, tha Veliaj.

Ndërkohë, ai theksoi se në të gjitha çerdhet dhe kopshtet e Tiranës do të zbatohen kriteret bashkëkohore të trajtimit dhe edukimit të fëmijëve në mënyrë që të sigurohemi që gjenerata e ardhshme rritet njësoj, si bashkëmoshatarët e tyre në vendet e zhvilluara. Gjithashtu, Veliaj tha se këto standarde do të vijojnë të zbatohen edhe sa i përket ushqimit, ku do të vazhdojë revolucioni i ushqyerjes shëndetshëm. “Fëmijët janë si t’i mësosh. Po t’iu japësh patatina dhe pije me gaz, ato do të duan gjithë jetën; po t’i mësosh me brokoli, perime e kos, atëherë do të rritet një brez i shëndetshëm. Për të gjithë këto arsye do të vazhdojmë me këtë revolucion”, u shpreh ai.

Më tej Veliaj bëri të ditur se projekti i ndërtimit të këndeve të lodrave do të vijojë edhe në 4 vitet e ardhshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb