TIRANE – Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se ndërtimi i Unazës së Vogël ishte zgjidhja e duhur, për ta kthyer sheshin “Skënderbej” në pedonale.

Gjatë fjalës së tij, në dëgjesën e organizuar për planin vendor të Tiranës, Veliaj iu përgjigj kritikëve për trafikun në Tiranë, duke thënë: “Ka shumë njerëz që thonë na çmendi trafiku, duke harruar se janë vetë trafiku”.

Sipas Veliajt, eksperimentet e bëra me organizimin e ditëve pa makina, treguan se asnjë tragjedi nuk ndodhi në Tiranë, pavarësisht se makinat nuk kaluan në sheshin “Skënderbej”.

“Bëhet fjalë për të vendosur një bllok dhe për të siguruar që një hapësirë publike t’i kthehet Tiranës. Kemi bërë disa eksperimente që në fakt kanë funksionuar perfekt. Tragjedia nuk ndodhi, njerëzit shkuan në destinacion”- deklaroi Veliaj.

Ndër të tjera kryebashkiaku theksoi se Bashkia e Tiranës është e angazhuar veçanërisht për çështjen e gjelbërimit.

Veliaj deklaroi se, “lejet e ndërtimit kanë zënë një pjesë të vogël të planit tonë, pasi do t’i lihet vend urbanizimit”.

“Nuk zhbëjmë dot atë që është bërë deri tani, por do të rijetëzojmë zonat që sot vuajnë gabimet. Synimi i planit për Tiranën është të çojmë shërbimin aty ku duhet”, deklaroi Veliaj.

VELIAJ: TIRANA POLICENTRIKE ME 5 QENDRA, ÇOJMË SHËRBIMET ATY KU DUHET
Tirana e 20 viteve të ardhshme do të ketë një identitet të ri urbanistik. Bashkia e Tiranës ka vijuar dëgjesat publike për të diskutuar konceptin e saj për Planin e Përgjithshëm Vendor Tirana2030, ku për herë të parë do të përfshihen edhe zonat rurale përreth saj. Arkitektë dhe urbanistë vendas e të huaj, anëtarë të Këshillit Bashkiak, qytetarë të interesuar, dëgjuan dhe diskutuan sot gjatë gjithë ditës vizionin e grupit që po harton Planin e Përgjithshëm Vendor të Tiranës, të udhëhequr nga arkitekti i mirënjohur italian, Stefano Boeri.

Gjatë ditës së sotme u mbajtën 10 prezantime të rëndësishme të tematikave të ndryshme që do të trajtojë ekipi që po punon për PPV, ku të pranishmit u njohën mbi idetë që po diskutohen, problemet e pritshmëritë e ekspertëve për Tiranën. Gjithashtu, u zhvilluan disa tryeza diskutimesh të hapura për qytetarët, të cilët së bashku me ekspertët e Bashkisë dhe ekipit të arkitektëve e urbanistëve diskutuan dhe dhanë idetë e tyre. Tryezat ngritën një çështje të rëndësishme në lidhje me të ardhmen e Tiranës si: Rigjenerimi Urban, Lëvizshmëria, Turizmi, Mjedisi, Infrastruktura, Ekonomia, Komunikimi (Smart City), Kultura dhe Agrikultura.

Në fjalën e tij kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj bëri të ditur se projekti i Planit të Përgjithshëm Vendor parashikon një koncept që përshtatet me vizionin e shpalosur edhe gjatë fushatës zgjedhore, ku kryeqyteti ndryshe nga sa është organizuar dhe ka funksionuar deri më tani, propozohet të jetë policentrik dhe të çojë shërbimet aty ku ka nevojë. “Më vjen mirë që për herë të parë kalojmë nga teoria në praktikë, kur vjen puna tek Tirana policentrike. Ne, do të duhet të kemi një qendër më vete në Laprakë, në Kombinat, në Kinostudio… Është shumë e rëndësishme që të gjithë këtë bisedë për policentrizmin, ta përkthejmë në 5 pole urbane të Tiranës”, tha kryebashkiaku Veliaj në mbyllje të dëgjesës së sotme.

Ai shtoi se 5 poleve të qytetit do t’i shtohen edhe 5 qendra të tjera thuajse urbane dhe që do të synojnë të ofrojnë të gjitha shërbimet e nevojshme për banorët e zonave rurale. “I njëjti model do të ndiqet edhe për 5 pole zhvillimi rural, të cilat do të shërbejnë si qendra kuazi urbane shërbimesh për zonat rurale që do të gravitojnë rreth tyre. Në këtë mënyrë, edhe qytetarët e zonave relativisht të largëta rurale nuk do të duhet të udhëtojnë deri në qendër të Tiranës për të pasur mundësinë për të marrë këto shërbime”, shtoi Veliaj. Ai tha se lejet e ndërtimit nuk përbëjnë më pjesën kryesore dhe më të rëndësishme të këtij plani vendor.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb