Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili së bashku me deputeten Klotilda Ferhati ishin sot sheshi pranë rrugës “Endri Keko” në Njësinë 3 të kryeqytetit.

“Sot jemi te këndi i 77-të në Tiranë. Ka qenë parim që çdo muaj në Bashkinë e Tiranës të kemi një kënd të ri lodrash. Kur mendoj se si filloi kjo punë me këndin e lodrave te liqeni, me president e me çudira, me politikanë me patllake e pistoleta, me polici, sherr e shamata, – shumë zhurmë për asgjë, – kupton që kur ne punojmë bashkë, bëjmë gjëra të mrekullueshme, kur ne e ndajmë mendjen që do pengojmë njëri-tjetrin, se është Astiri, se është teatri, se është këndi i lodrave, se është Pazari, se është Kalaja, se është sheshi, se është Bulevardi, ne vetëm prishim punë. Kjo do të thotë që ne e paskemi në dorë vetë. Po të bashkëpunojmë, fitojmë të gjithë. Po të mos bashkëpunojmë thjesht pengojmë njëri-tjetrin dhe harrojmë që te rruga, ose te parku që po pengojmë do luajnë të gjithë fëmijët dhe më vjen mirë që ky komunitet e ka kuptuar këtë, pavarësisht bindjeve, që, kur vjen puna tek fëmijët, i kemi të njëjta,” u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë u ka bërë thirrje edhe komuniteteve të tjera që të bashkohen ë mënyrë që në Tiranë të krijohen edhe të tjera ambiente të tilla çlodhëse dhe argëtuese e jo vetëm, por edhe për të bërë edhe më atraktive zonat e tyre të banimit.

“Mbi të gjitha është rritur vlera e pronës. Është ndryshe të vish të shesësh dhe të kërkosh me qera në një zonë e cila ka një park poshtë dhe ndryshe është, po i njëjti apartament, me po të njëjtat metra katrorë, por me një grumbull plehrash poshtë pallatit. Kështu që, edhe një njeri që ndoshta nuk i do këndet e lodrave dhe mund të jetë kundërshtari ynë politik, është bërë më i pasur thjesht duke ndenjur në shtëpi, ose duke na sharë në “Facebook”. INSTAT-i thotë që çdo vit është rritur vlera e pronës në Tiranë me 11%. Do të thotë që në këto 6 vite minimalisht 66% është rritur vlera e pronës së kujtdo vetëm prej faktit që pjesa poshtë pallateve sot ka një cilësi më të madhe. Ndaj ftesa për të gjithë qytetarët është: Zgjidhni administratorë, identifikojmë sheshe të tilla, fillojmë bëjmë akupunkturë,” tha ai.

Veliaj informoi se me të tilla parqe dhe sheshe do të vijojë puna në të gjithë gjatësinë e Lanës. “Do bëjmë të njëjtën gjë nga zgjatimi i Lanës në zonën e “Pallatit me Shigjeta” deri në Kashar. Kush e ka parë zgjatimin e Lanës nga Materniteti deri në Shkozë, pemët që mbollëm herën e fundit sa janë rritur, po të shohësh e gjithë pjesa e Lanës, ka marrë të njëjtën vlerë si pjesa buzë Lanës në Tiranën e vjetër. Për të gjithë ata që janë dyshues dhe mendojnë teori konspiracioni, të njëjtën gjë që bëmë këtu, nga Materniteti i Ri deri në Shkozë, do ta bëjmë edhe në anën tjetër, nga Pallati me Shigjeta deri në Kashar, që e gjithë kjo kërbishte e qytetit, pra ky aks kryesor të ketë të njëjtën vlerë, nga fillimi në fund. Pastaj, kur rregullohet rruga, vjen një linjë më e madhe autobusësh, nuk vijnë vetëm ata të vegjlit, por vjen një fizarmonikë. Kur vjen transporti publik e ke më kollaj edhe për krahun e punës dhe për të gjithë ata që vijnë nga një lagje te një tjetër, apo përdorin një korsi të biçikletave ekspres në Lanë,” tha kryebashkiaku Veliaj.

Pjesë e sheshit rekreativ pranë rrugës “Endri Keko” janë 5 module lodrash për fëmijë, stola për pushim, 300 m2 sipërfaqe e gjelbëruar, 199 bimësi dekorative, 6 shtylla ndriçimi dhe 18 vende parkimi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb