TIRANE

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka komentuar sërish sot ngërcin me transportin urban ndërsa paralajmëroi sërish se nëse nuk nisin punë të shkojnë në shtëpi.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që linjat të kuptojnë se kur kanë pasur nevojë për bashkinë, Bashkia ka qenë me ta. Kur kompanitë kanë pasur të drejtë, si në rastin e pandemisë, dhe hoqëm taksat, apo siç ishte rasti i mostaksimit të çdo autobusi, por vetëm një herë të kompanisë, që prapë dakordësuam dhe u dhamë të drejtë, ashtu duhet që ata t’i rikthehen shërbimit. Ajo që thonë disa kompani, se do e mbajnë licencën private, derisa të më dalë mua llogaria, nuk shkon sepse ajo licencë do të hiqet sepse s’po na del llogaria neve si qytetarë”, tha ai.

Ndërkaq, Bashkia e Tiranës ka nisur monitorimin e frekuencës së autobusëve. “Këto tre ditë do t’i ndjek personalisht frekuencat. Kush nuk i realizon, le të shkojë në shtëpi të vajosë jahtin e tij, të shkojë me pushime; por, Tiranën nuk e mban dot peng. Nëse familjet tona, industria, të gjitha kompanitë, mbajtën një barrë të vështirësisë gjatë pandemisë, kjo lipset ta mbajnë edhe kompanitë e autobusëve. Do më kenë në krah teksa negociojmë me qeverinë edhe për rimbursimet e mundshme dhe për lehtësira të tjera, vetëm nëse fillimisht më japin të besoj që ata nuk e marrin për të mirëqenë mirësinë tonë, por që e marrin seriozisht afatin, urdhrin dhe ligjin për t’iu rikthyer punës”, deklaroi Veliaj. Deklaratat kryebashkiaku Veliaj, i bëri nga njësia 11 në Tiranë, ku inspektoi punimet në këtë bllok.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb