TIRANË- Në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zgjodhi të përuronte çerdhen nr. 14, e cila është rikonstruktuar së fundmi me nismën “Adopto një çerdhe”, ku edhe ndau disa momente me gjyshet dhe gjyshërit e fëmijëve aty.

“Jam shumë i lumtur që në Ditën e të Moshuarve, përurojmë këtë çerdhe sepse besoj se nuk ka dhuratë më të mirë për gjyshërit dhe gjyshet se sa kur shikojnë nipat e mbesat që trajtohen me dashuri, me kujdes dhe me respekt nga qyteti i tyre”, deklaroi Veliaj.

Veliaj tha se Bashkia e Tiranës sot ka përgatitur një sërë aktivitetesh, duke përfshirë transportin publik falas në të gjitha linjat e Tiranës qytet, kafe për të moshuarit në mjediset e bashkisë dhe 24 njësitë administrative, si edhe 100 stola në parqet e lulishtet e rehabilituara.

“Një qytet nuk e bëjnë rraqet, asetet, ndërtesat apo rrugët; qytetin e bëjnë njerëzit dhe kur njerëzit mblidhen bashkë në ditë si e sotmja, ku kujtojmë gjyshërit dhe gjyshet tona për gjithë kontributin e tyre, si dhe investohemi te brezi i ri që po vjen”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Një tjetër lajm i mirë për kryetarin e Bashkisë së Tiranës është edhe përurimi i çerdhes nr. 14. “Më vjen mirë që kemi ndërtuar një qytet ku, edhe në ditët tona të vështira, edhe kur nuk i kemi mundësitë, edhe kur Bashkia ka borxhe financiare, kemi njerëz dashamirës që i kuptojnë dhe jetojnë me problemet e qytetit”, theksoi Veliaj. Ai tha se në pamundësi për t’i bërë të gjithë gjërat në muajt e parë, të paktën në çerdhet e Tiranës nuk mungon asgjë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës falenderoi donatorin, Arben Muçobega, për rikonstruktimin e çerdhes, duke u siguruar kushte më të mira fëmijëve të vegjël. Më herët, kryebashkiaku Veliaj e ka nisur ditën e punës duke pirë kafe e duke biseduar me pensionistë dhe veteranë. Ai ka zgjedhur diçka origjinale për këtë ditë, duke pritur fillimisht në zyrën e tij grupin e përfaqësuesve të pensionistëve dhe të shoqatave të veteranëve, e më pas konsumoi një kafe me ta në ambientet prapa bashkisë.

Ditën e sotme, Bashkia e Tiranës ka siguruar transport falas për të gjithë personat që kanë mbushur moshën e pensionit, në të gjitha linjat publike të Tiranës qytet. Ndërkaq, disa lokale në kryeqytet i janë përgjigjur apelit të bashkisë, duke ofruar kafe falas për të moshuarit gjatë orëve të para të mëngjesit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb