Në kuadër të 76-vjetorit të çlirimit nga pushuesit nazi-fashistë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj deklaroi se do të vijojë transformimi në këtë qytet nën drejtimin e Partisë Socialiste.
Veliaj tha se për PS, Lufta Nacional-Çlirimtare ka qenë dhe mbetet një simbol lavdie dhe krenarie.

“Për Partinë Socialiste, për familjen tonë të madhe politike, lufta nacional-çlirimtare ka qenë dhe mbetet një simbol lavdie dhe krenarie, dhe si forcë politike mbetemi të palëkundur në detyrimin që sot kemi ndaj atyre brezave patriotik, atdhetar dhe kombëtar që dhanë jetën për çlirimin e atdheut dhe ëndrrës për vendosjen e Shqipërisë në binarët evropian dhe të ardhmes euroatlantike. Ndaj besoj fort se mënyra më e mirë për ta nderuar sakrificën e tyre, është të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar, për të ecur para me procesin e transformimit të Shqipërisë, të reformave për integrimin evropian, si dhe ndërtimit të një shoqërie te lirë, të drejtë dhe të barabartë ashtu siç e aspironin ata burra dhe gra, 76 vjet më parë kur rrokën armët dhe u nisën në një rrugë pa kthim”, theksoi Veliaj.

Drejtuesi politik i PS nënvizoi se, pavarësisht përpjekjeve për të përçarë shoqërinë tonë, qytetarët e drejtë dinë të gjykojnë historinë mbi fakte dhe jo mbi fjalë. “Teksa jemi të gjithë bashkë, nuk ka sesi të mos ndjejmë krenari dhe respekt për veprën e tyre, për atë çka ata bënë që ne të jetonim në paqe, si njerëz të lirë, në një botë mes kombeve të lira, e mbi të gjitha për të mëshiruar peshën që mban akti i unitetit dhe i bashkimit, shpesh i neglizhuar në këto kohët e fundit. E them këtë sepse e di që ka nga ata histerikë që duan të na përçajnë, duke dashur të bëjnë bashkë periudhën e errët komuniste të pasluftës me periudhën e artë të bashkimit dhe sakrificës në Luftën Antifashiste. Janë po të njëjtit që sot duan të na ndajnë edhe në luftën kundër virusit dhe në betejën e rindërtimit. Por ka një vijë ndarëse të qartë në këtë mes, e kanë vendosur edhe vendet e Evropës Lindore, e kemi vendosur edhe ne si Parti Socialiste, bashkë me qytetarët e drejtë, që dinë të gjykojnë historinë mbi fakte dhe jo mbi llafe”, u shpreh ai.

Veliaj nënvizoi se sakrifica dhe përpjekjet e atyre që luftuan dhe dhanë jetën për çlirimin e Kavajës dhe të Shqipërisë, mëshirojnë asgjë më shumë e asgjë më pak se idealet e ndërtimit të një shoqërie të fortë, të mire arsimuar dhe me perspektivë evropiane. “Unë jam i bindur, edhe si i dërguar politik në Kavajë, se Kavaja nuk do të ndalet, por do të vazhdojë të transformohet ashtu siç po transformohet çdo cep i Shqipërisë, çdo fshat, çdo qytet, ku qeveria dhe bashkia kanë bashkëpunuar nën udhëheqjen e Partisë Socialiste”, deklaroi ai.

Erion Veliaj nënvizoi se për sa kohë kjo formulë bashkëpunimi bashki-qeveri ka rezultuar e suksesshme në Tiranë, nuk ka pse të mos funksionojë edhe në Kavajë. “Lypset të vazhdojmë të qëndrojmë bashkë, në mënyrë që reformat e nisura të japin frytet e veta deri në fund. Shumë punë na presin! Por, hap pas hapi, sfidë pas sfide, sukses pas suksesi, së bashku po ndërtojmë Shqipërinë që patriotët tanë ëndërronin dhe pa dyshim fëmijët tanë meritojnë. Edhe për ne shqiptarët ka ardhur momenti të reflektojmë e ta ndalim vrullin e urrejtjes, të përçarjes dhe të shërohemi jo vetëm nga virusi, por edhe nga ndasia dhe dëshpërimi që disa me papërgjegjësi e shpërndajnë. Jam shumë i lumtur që sot 14 nëntori na ka bërë të gjithëve BASHKË, socialistë dhe demokratë! Do të doja që kështu të ishim gjithmonë për të ardhmen e kombit”, u shpreh Veliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: